Pesë anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu është vendosur truprojë nga Njësia Speciale e Policisë. Me sa duket situata e tensionuar politike dhe dalja e KQZ kundër Presidentit të Republikës ka sjellë masat e sigurisë për kreun e KQZ Klement Zguri, zëvendës kryetarin Denar Biba dhe 3 anëtarët e tjerë Edlira Jorgaqi, Bledar Skënderi dhe Rezarta Bitri.
Truprojat janë në dispozicion të anëtarëve të KQZ prej pak ditësh. Kujtojmë se hera e fundit që anëtarët e KQZ kanë qenë me truproja, kanë qenë në zgjedhjet 2011.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur sot por pa kryetarin Klement Zguri, i cili u largua në mënyrë demonstrative nga mbledhja e kaluar.
Ai deklaroi në mbledhjen e fundit se nuk mund të jetë pjesë e mbledhjeve për shkak të anulimit të zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës. Mbledhja e sotme është thirrur nga Zv/kryetari Denar Biba dhe anëtarët Bledar Skënderi, Edlira Jorgaqi dhe Rezarta Bitri. Në rend të ditës, KQZ ka pesë projektvendime për zgjedhjet e 30 qershorit.
Veritas.com.al/