Këshilli Drejtues i Bankës Kombëtare Greke (NBG Albania) pritet të vendosë nëse do të pranojë një nga ofertat e bëra për të blerën bankën, apo do të shtyjë me disa muaj procesin.

Shoqëria e sigurimeve Eurosig, Banka Amerikane e Investimeve (ABI) dhe Banka e Parë e Investimeve (FIB)  janë tre institucionet financiare që kanë dorëzuar ofertat për blerjen e NBG-së dhe janë në pritje të shpallje të fituesit.

Një tjetër skenar që po diskutohet është ai i shtyrjes së procesit, kjo për dy arsye kryesore, njofton ‘Monitor’. Së pari, tre ofertat e dorëzuara kanë qenë më të ulëta sesa priste banka. Ofertën më të lartë e ka bërë Eurosig, i dyti është ABI dhe e treta është FIB. Së dyti, krahas ofertës së ulët, bankat që kanë paraqitur ofertë janë relativisht të vogla, ndërsa Eurosig nuk ka përvojë në sistemin bankar. Mësohet që preferenca është mes ABI dhe FIB.

Në rast se asnjë nga ofertat nuk pranohet, procesi do të rihapet sërish dhe mund të zgjasë edhe për disa muaj të tjerë. Megjithatë, për momentin nuk është marrë ende asnjë vendim.

NBG, me seli qendrore në Greqi njoftoi para disa muajsh se të shesë bankat më të vogla në Serbi, Shqipëri dhe Qipro, si pjesë e angazhimeve për të cilat është rënë dakord me rregullatorët. Në muajin gusht NBG njoftoi mbi nënshkrimin e një marrëveshjeje  me ΟΤP Bank Romania për shitjen tek OTP të pjesës së saj të aksioneve prej 99.28%, që zotërohej tek dega e saj rumune, Banca Romaneasca dhe të një portofoli të huave me risk të korporatave.

Në fund të tremujorit të dytë 2017, totali i aktiveve të NBG në Shqipëri ishte 40.5 miliardë lekë, duke përbërë 2.8% të totalit të aktiveve të sistemit bankar, ndërsa banka ka 4.8% të stoku të kredive sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave.

Banka Amerikane e Shqipërisë zinte 2.7% të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptare në fund të tremujorit të dytë 2017 (ish-Crédit Agricole që në 2015-n u ble nga NCH Capital).

First Investment Bank (FIB) zinte 1.3% të totalit të aktiveve në Shqipëri, por banka mbështetet nga mëma në Bullgari, ku FIB është e treta në sistemin bankar bullgar, sipas madhësisë së aktiveve.

Veritas.com.al/