Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot, më 19 prill, në një tentim të tretë për konstituimin e legjislaturës së nëntë, njofton KosovaPress.

Tentimi i parë për konstituimin e Kuvendit ishte më 15 prill por partitë që deri tani ishin në opozitë, votuan kundër raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës argumentuan se anëtarët e qeverisë në detyrë duhet të japin dorëheqje formale para se të betohen si deputetë.

Për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kjo nuk është e nevojshme meqë sipas tij, qeveria është në detyrë që prej marsit – periudhës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ligjit për Qeverinë – i miratuar gjatë mandatit të Kurtit – përcakton se nëse një anëtar i ekzekutivit zgjidhet deputet i Kuvendit, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti qeveritar para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Ashtu siç e parasheh rregullorja e Kuvendit të Kosovës, deputetët e zgjedhur u mblodhën pastaj më 17 prill – 48 pas mbledhjes së parë – në një tentim të dytë për konstituimin e organit legjislativ.

Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk duhet të jenë më të gjata se 48 orë, thuhet në Nenin 12, pika 5 e rregullores së Kuvendit.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së ftoi për konsultë partitë politike të enjten dhe më pas e ndërpreu seancën duke thënë se “nuk pati konsensus” se si të vazhdohet tutje.

PDK, LDK dhe AAK kritikuan Lëvizjen Vetëvendosje për dështimin e seancës, që sipas tyre po bëhet për “pazare politike”.

Dehari tha se deputetët e zgjedhur mblidhen sërish më 19 prill, në orën 12:00.

Për të mbërritur te pika e betimit të deputetëve, fillimisht duhet miratuar raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.

E pas betimit, i hapet rrugë votimit të kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Deri më tash, LVV-ja si parti fituese nuk e ka bërë të ditur emrin që do ta propozojë për kryetar të Kuvendit dhe as nëse i ka numrat për ta votuar atë.

Konstituimi i Kuvendit i hap rrugë votimit të qeverisë re të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

Vetëm pasi të ketë përfunduar seanca konstituive, presidentja e vendit mund të vazhdojë me obligimet e saj ligjore për të mandatuar partinë e parë për formimin e qeverisë së re.

Megjithatë, është në diskrecionin e saj që të mandatojë më pas parti të tjera për të formuar qeverinë, nëse Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese nuk merr mbështetjen e 61 deputetëve në Kuvend për qeverinë e re. /KosovaPress/

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *