Agron Zhukri, gjyqtari që u caktua nga goglat që të verifikonte ligjshmërinë e Statutit të PD, miratuar në Kuvendin e Partisë Demokratike, thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor 2021, në stadiumin kombëtar, është tërhequr nga çështja. Vendimi i tij është marrë pasi Shqiptarja.com denoncoi dosjen e karrierës së tij dhe pasurinë marramendëse. Tashmë pritet që të hidhet një tjetër short në Dhomën Civile të Gjykatës së Tiranës.

Në artikullin e shkruar nga gazetari Adriatik Doci evidentohet se Zhukri është pjesë e gjyqtarëve, të cilën nuk kanë kaluar procesin e Vetingut. Por më shumë se sa për vendimet, Zhukri është lakuar për pasurinë. Në vitin 2003, gjyqtari deklaron një shtëpi të ndërtuar në vitet ’90 me vlerë 3 milionë lekë, kthyer më pas në ambiente zyre për biznesin e bashkëshortes, si agjenci udhëtimi dhe sigurimesh, me vlerë investimi 2 milionë lekë. Nga viti 2006 deri në vitin 2018, bashkëshortja e gjyqtarit Rezarta Zhukri deklaron rreth 2 milionë USD të ardhura nga biznesi i agjencisë së udhëtimit dhe sigurimeve. Nuk dihet se si Zhukri arriti të bëhej pjesë e drejtësisë, me arsim të plotë juridik apo përmes kursit të famshëm të ‘Plepave’.