As ka pasur ndonjëherë e as mund të parashikohet
“Qytetarët shqiptarë kanë qenë në situatë kaotike prej disa ditësh, kur Presidenti i Republikës, Ilir Meta, paralajmëroi institucionet që të marrin masa për një tërmet 150 ballë, të paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit, i cili mund të godasë Ballkanin”.
Presidenti deklaroi se ishte mbështetur tek shkrimet e disa mediave të huaja, të cilat kanë cituar një deklaratë të sizmiologut grek Akis Tselenis, se një tërmet 30 herë më i madh se ai, që ra në Athinë pak ditë më parë prej 5 ballësh, do të bjerë në gjithë gadishullin.
Edhe pse vetë Tselenis i ka quajtur citimet e vëna në gojën e tij si të rremë dhe qesharake, Presidenti insistoi në alarmin e dhënë prej tij, duke nxjerrë në një konferencë për shtyp, Këshilltarin e tij për Sigurinë, ish-Shefin e Shërbimit Informativ, Bahri Shaqirin.
“Nisur nga paqartësia që është krijuar tek qytetarët, nga vetë fakti se paralajmërimi për një tërmet apokaliptik vjen nga një figurë shtetërore serioze, si Presidenti i Republikës, ne iu drejtuam Institutit të Sizmiologjisë, në mënyrë që qytetarët të marrin një informacion sa më të saktë dhe profesional nëse rrezikohemi nga një tërmet i tillë, nëse një tërmet i këtyre përmasave mund të ndodhë apo nëse ai mund të parashikohet”.
Shefi i Institutit të Sizmiologjisë, Rexhep Koçi, një nxënës i shkencëtarit grek Tselenis pranon se të tilla deklarata, për tërmet me magnitudë 150 të shkallës Rihter, nuk duhen marrë seriozisht.
“Opinioni publik s’ka vend për shqetësim. Ballkani është vend sizmik, po tërmetet 150 ballë s’ka pasur dhe nuk parashikohet”, thotë Koçi.
Instituti i Sizmiologjisë sqaron se nga monitorimet që bëjnë pa ndërprerje, nuk kanë vënë re ndonjë situatë për t’u shqetësuar, përveç aktivitetit sizmik të zakonshëm.
“Ne monitorojmë 24 orë në 24 dhe nuk kemi vënë re situatë shqetësuese. Pati tërmet sot në mëngjes në Korçë 2.4 ballë, që është normale pas tërmetit të 1 Qershorit”.
Tërmetet, pranon shefi i Sizmiologjisë, nuk mund të parashikohen në asnjë rast.
“Tërmetet nuk parashikohen”.
Pavarësisht sqarimeve të dhëna publikisht, presidenca ka insistuar këto ditë tek institucionet shqiptare, që t’i marrin seriozisht paralajmërimet e mediave të huaja, që citojnë deklaratat e përgënjeshtruara tashmë nga sizmiologu grek, Tselenis.
Do të bjerë apo s’do të bjerë tërmeti 150 ballë, kjo duhet parë nëse Presidenti Meta ka më shumë informacion se Instituti Sizmiologjik./Tv Klan