Frrok Çupi/

M’u krijua një lidhje e fortë mes dy vogëlusheve politikane në Tiranë dhe një bashkëbisedimi mes një sociologu amerikan (Laurie Taylor) dhe një aktori anglez (Alexei Sayle). Çudi sa shumë të përbashkëta kishin mes tyre; por përbashkësi edhe në kundërshtitë e tyre.

Sociologu i famshëm amerikan dhe artisti (po i famshëm) anglez, po shkëmbenin mendime rreth ‘fëmijëve të qumështit’ dhe marrëdhënies së tyre me politikën. Ndërsa politikanet në Tiranë kanë hyrë në vorbullën e politikës pa pyetur asnjë sociolog, edhe pse janë ‘fëmijë qumështi”. Në listën e Kuvendit të ri ka disa, sidomos vajza, që mund të thuash janë ‘në moshën e qumështit’- do të thoshte sociologu Taylor që kujdeset t’i mbajë larg fëmijët nga politika.

E fundit quhet Barbara Doda, 20 vjeç, kandidate për deputete e Partisë Demokratike. Tjetra është më e njohur, aq më tepër për ekstravagancën e shfaqjes së saj në publik, dhe është socialiste, Jozela Koka. Dje dhe pardje një deputete e LSI po ‘hahet’ me ministren e  Arsimit, Nikolla; mes tyre ka batuta ‘moj vajzë’ dhe ‘o zyshe’… Po të ishte zonja Nikolla në moshë kushedi, haj se dikush do t’i thoshte ‘zyshe’, por vetë ajo sapo ka dalë nga mosha ‘e rrezikshme’ e Taylor.

Çfarë pritet prej ‘qumështit’ në Kuvend?

Akti i parë politik i kandidates më të re në historinë e Shqipërisë, ka ndodhur pardje, akoma pa hyrë në Kuvend. Ajo i ka drejtuar një mesazh socialistes Jozela Koka, duke i thënë: “Ej, mos kalo andej nga pallati i Tahirit, se unë nuk kam ndërmend”…

Mesazhi, sipas mendjes së Barbares, ka karakter lufte kundër ‘armikut’ socialist- ashtu siç ka parë e dëgjuar që bëhet në Kuvendin e Shqipërisë. Aty deputetët kacafyten për idetë, programet dhe anësitë partiake. Edhe vogëlushja kandidate mendoi se kështu po jepte kontribut dhe iu sul një vogëlusheje tjetër socialiste. Jozela, muaj të shkuar, kishte thënë në publik se ‘mbrëmë mbetëm andej nga shtëpia e ministrit”, dhe aty diku ndodhej shtëpia e ministrit socialist Tahiri.

… Do të kemi katër vjet kështu: ‘Gëc- mëce’ vajzash, herë për të dashurit, herë për kandidatët, herë për vakancat, herë për padronët…

Po si erdhën këto vogëlushe deri në kulmin e luftës politike?

Barbara, një fëmijë që kalonte nga Çadra e Protestës thuajse përditë, sapo dilte nga shkolla, një ditë mbeti në rrjetë. Kryetari i PD e propozoi kandidate për deputete. Ajo nuk kishte fjalë tjetër më të përzemërt, veçse i tha: “Faleminderit, xhaxhi Luli!”. Në një  program televiziv ajo e tha hapur për publikun se në rrethin e Partisë iu thotë të gjithëve “xhaxhi”. Nesër, me siguri do të jetë deputete në Kuvend dhe do të votojë ligje. Jo vetëm ligje për fëmijë, sepse këto janë ligjet më të rralla në Kuvendin tonë, por ligje për… lëndët kimike, për drogën, për emergjencat, për ushtrinë dhe NATO-n, për aleancat me superfuqitë, etj.

-I nderuar xhaxhi kryetar!…- Të nderuar xhaxhallarë dhe teta në sallë!”. Kështu do të nisë me siguri fjalimi në Kuvend sipas traditës së të rriturve.

 

Mirë, se kjo ndodhi dhe mund të ndodhë përsëri e përsëri; sa kohë liderët ‘xhaxhi’ kanë nevojë të përdorin fëmijët dhe të parriturit mendërisht.

… Por cila ishte biseda e sociologut të famshëm dhe e artistit po kaq të famshëm rreth ‘qumështit’ në Kuvend?!.

Një studim i zonjës Moss kishte sugjeruar që fëmijët të marrin disa dijeni mbi politikën, çdo ditë- mundësisht, por është humbje e madhe sikur të presësh që kur të rriten ata të mbajnë mend çfarë kanë bërë në fëmijëri.

Sociologu  Taylor:

Në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1949, fëmijët i kam dëgjuar duke kënduar të lumtur për Stalinin dhe të mrekulluar për socializmin… Po ku janë ata sot? Ky fenomen na vjen rrotull nëpër klasat e shkollave angleze- siç përmendi Alexei Sayle.

Artisti Sayle:

Zonja Wilson tha se: “Le të falënderojmë Zotin për qumështin” e fëmijëve. Por zoti Sayle nuk ishte dakord plotësisht. Ai mendon se qumështin e siguron ndërmarrja e qumështit, por kujdesi i shtetit është që të subvensionohet qumështi për fëmijët e shkollës (Kaq mund t’i përziejë shteti fëmijët në punët e veta ligjore)…. Ai bëri një krahasim dhe tha se fëmijët janë ‘si ranishte’ për qumështin. (Por jo për politikën- shënimi im).

Kur po flisnin mbi temën e lidhjeve mes fëmijëve dhe politikës, ata mbetën duke folur mbi kualitetin dhe nevojën e qumështit.

Edhe profesoresha Dorothy Moss erdhi në idenë e sociologut dhe të artistit se: “Really, in the idea, the general idea that people say ‘well, children don’t know anything about politics. They’re not involved in politics’. (Realisht, ideja e përgjithshme është se njerëzit thonë ‘fëmijët nuk dinë gjë nga politika’. Ata nuk janë të përzierë në politikë’).

Gjatë këtij Kuvendi ne do të kemi më shumë ‘qumësht’.

 

Veritas.com.al/