Frrok Çupi/

Një tabelë e vogël, por me detyrimin që të mbahet me vete të paktën pak dekada. Të mbahet për aq kohë sa të pranohet unanimisht se Reforma dështoi; ose aq sa njerëzia të shpëtojë nga padrejtësia dhe kudo të jenë të kënaqur me Drejtësinë… Atë ditë që të pranohet o njëra, o tjetra, këta dorëzojnë tabelat që sot duhet t’i vendosin me detyrim. Sepse ndryshe, të gjithë këta që po “udhëheqin” turmat drejt një gremine ose drejt një majë mali; të gjithë këta nuk do të lënë dëshmi. Askush nuk do të jetë i fajshëm dhe as do të “paguajë” për katastrofën- në qoftë se shkohet në katastrofë, siç po shihet.

Çfarë po shihet?

Po shihet se Reforma në Drejtësi është e imponuar, çfarë nuk është e pranueshme në principin e Drejtësisë. Çdo popull ose racë ka atë sistem ligjor, atë sjellje, aq masë dhe atë lloj drejtësie që i del nga lëkura e vet. Babilonasit i shkruan në pllaka balte kodet e para të Drejtësisë, që morën emrin Kodet e Hamurabit, gati 2 mijë vjet para këtij dymijë vjeçari që po bëhen ligje në “Demokraci”. E shikoni? Hamurabi iu vuri kodeve emrin e tij “Kodet e Hamurabit”. Aristoteli iu vuri emrin e vet; Platoni emrin e vet; Aleksandri i Madh- emrin e  vet; deri edhe Napoleon Bonaparti…

Si mund të ndodhte ndryshe?… që dikush vjen në “fushën”e  publikut, publikut i bën ligjet, ia detyron, bën një të qeshur cinike, ikën dhe nuk e gjen më askush në këtë botë…

Ja pra pse duhet ajo tabela e vogël; veç një tabelë dhe një detyrim që “Hamurabi” i shekullit 21 ta mbajë në qafë.

Tabela e parë me emrin e kryeministrit.

Megjithëse nuk është normale që kryeministri në një republikë parlamentare të bëjë edhe drejtësinë, kjo tashmë ka ndodhur me ne. Kryeministri e ka bërë Drejtësinë “personale”. Kudo që shkon, edhe kur i thonë “pse po përmbytemi nga shiu?”, ky iu kthehet: “E pra, më doli gurmazi për Reformën dhe Vettingun”. Ky që drejtpërdrejt ka si qëllim që ta fusë në dorë Drejtësinë dhe të mos ketë më Drejtësi, duhet të mbajë në qafë tabelën: “Unë, Edi Rama, jam një autor i Drejtësisë. Po doli për keq, që sot vë në garanci një miliardë euro nga xhepi im”. Kjo të certifikohet dhe ditën e dështimit (nëse dështon, dhe me siguri po) shteti të tërheqë shumën e dorëzuar.

Tabela e dytë me emrin e ambasadorit Lu.

Ky sot është ambasador i Shteteve të Bashkuara; por nesër ku ta dish se në ç’pyll amerikan do ta ketë banesën. Në tabelën ku shkruhet: “Unë jam Donald Lu, luftova për Reformën dhe Vettingun si për Penelopën, por ishte kot. Në qoftë se del kot, kthehem nga Amerika dhe banoj në Tiranë mes turmës që përditë shkojnë e hanë njëri tjetrin në dyer të gjykatave, për shkak të Reformës”.

Në kohën që do të ndodhet mes turmave të dëshpëruara për humbjen edhe të asaj pikë Drejtësie që kanë sot shqiptarët, Lu do të tregojë pse e bëri këtë. Mund të tregojë, psh., ku ishte interesi që shqiptarët humbin të drejtën e pronës dhe për kë u piketuan pronat- sipas kësaj Reforme.

Tabela e tretë me emrin e ambasadores së BE, Vlahutin.

Kjo ka këtu një vilë në vlerë 1.6 milionë dollarë, të cilën duhet ta lërë që sot, si garanci. Paratë që përfitohen nga shitja e vilës destinohen për ekipet e ekspertëve që do të sjellin Kushtetutën në formën e votuar nga referendumi shqiptar dhe disa përditësime të tjera në akordancë me të. Pas kësaj, vetë zonja Vlahutin, në bashkëpunim me Bashkinë e Zagrebit, duhet të garantojnë se qytetarët shqiptarë- të humbur prej Reformës së saj, do ta gjejnë sa herë ta kërkojnë në qendër të Qytetit. Aty Vlahutin të flasë me ta, aty t’u përgjigjet nëse u shkakton trauma dhe të presë lule nëse shqiptarëve  iu jep “Parajsën” e Drejtësisë- siç iu ka premtuar.

Tabela e katërt- për kryetarin e Opozitës,

që po mban në shesh “Çadrën e Lirisë”. Nëse shmanget prej  përgjegjësisë që të ruajë Drejtësinë përballë atyre që kanë paratë dhe pushtetin, atëherë çadra të bëhet shtëpi e tij dhe të mos lejohet të ketë një apartament luksoz. Për shembull…

Dhe tabela e fundit-

për të gjithë “delet”- siç i quan kryeministri njerëzit e turmës pa mend që thërrasin “Reformë! Reformë!” si në periudhën e Dinastisë Mongole dhe pushtimit Kinez. Edhe për të gjithë idiotët që shkruajnë në faqet e facebook-ut të Mark Zukerberger si të shkruanin në dërrasat e barakës së tyre. Këta të mos lejohen të votojnë më për punët publike, as për zgjedhjen e pushtetit,- njësoj si në rregullat e “Demokracisë së Lashtë” ku njerëzit e rrugës nuk lejoheshin të votonin në Eklezi.

Tabela e dëshmisë:

Të gjithë të këqijtë, keqbërës, shërbëtorë, banditë e piratë; dhe prodhimi i tyre kaluan mbi tokën dhe mbi njeriun këtu- dhe u zhdukën. U zhdukën duke skërmitur dhëmbët dhe duke lënë pas veprën e tmerrshme. Për vete nuk u dukën më, por as njerëzit nuk i kërkuan; hëngrën të keqen që lanë ata, u helmuan, u budallepsën dhe kaq… Lanë diktaturën komuniste e ku ta gjeje pastaj Mugoshën apo Enverin; ku ta gjejmë atë xhelat që dhunoi në burgje dhe në hetuesi; atë që izoloi gjithçka nga bota; atë që krijoji “Njeriun e Ri” dhe shpëlau trurin; atë që krijoji këtë gropë prapambetjeje!?… Duhet dëshmia. Pa dëshmi nuk kemi qytetari…. Këtu fillon Drejtësia, nëse e duam; ndryshe “kaloni o barbarë, këtej kalohet!”.

/Veritas.com.al/