Nga Bardhi Sejdarasi

Në 30 qershor duhen vetëm 10 minuta për të udhëtuar nga Miloti në Kashar. Dhe jo më 1 orë e gjysmë. Makthi i udhëtarëve që kalonin në rrugën e vjetër ka marrë fund, ndërsa për të gjithë Lezha dhe Velipoja janë “sa hap e mbyll sytë”.

Ka përfunduar dhe është bërë e kalueshme kjo pjesë e rëndësishme e Korridorit Blu, një investim që tashmë është pjesë e një realiteti, e projektit europian TEN-T.

Rruga është bërë me koncesion nga një kompani private, për kalimin në këtë rrugë duhet të paguash një taksë, që ekspertët e vlerësojnë si tri herë më të lirë, nëse e krahason me atë çfarë harxhon nga rruga e vjetër. Qeveria nuk ka harxhuar para nga buxheti, ndërsa të ardhurat e investuara nga kompania private do të grumbullohen për kohën e koncensionit nga taksa e rrugës. Po jo vetëm kaq!

Shqipëria është duke zhvilluar punime në 6 segmente rrugore të rrjetit kryesor europian të infrastrukturës (TENT), 5 prej të cilave janë në rrjetin kryesor të korridoreve Europiane dhe një është degëzim me rrjetin kryesor. Komuniteti i Transportit, që koordinon politikat dhe investimet në projektet që lidhen me infrastrukturën e rëndësishme europiane analizoi se gjatë vitit 2023 Shqipëria ka në proces të punimeve rreth 138 km dhe se vlera e projekteve në rrjetin kryesor shënon më shumë se 1 miliard euro.

Autostrada Adriatik-Joniane është një autostradë në ndërtim e sipër, përgjatë bregut perëndimor të Adriatikut dhe detit Jon. Kjo udhë përshkon pjesën perëndimore të gadishullit Ballkanik. Ajo fillon në Trieste (Itali) dhe kalon së pari përmes Sllovenisë për në Rijeka në Kroaci. Në afërsi të Dubrovnikut Autostrada Adriatik-Jon do të kalojë përmes Bosnje-Hercegovinës në Trebinje për në Mal të Zi. Atje ajo do të vazhdojë përmes Podgoricës dhe do të kalojë nga pjesa veriore te Liqenit të Shkodrës në Shqipëri e me tej për në Durrës në drejtim të Greqisë.

Dy javë më parë, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se projekti është pjesë e aksit Milot-Fier, 114 kilometër i gjatë.

E gjitha autostrada Adriatiko- Joniane në pjesën shqiptare kushton 2.6 miliardë euro në rreth 256 kilometrat e saj. Në grafikën e këtij korridori ju mund të lexoni kostot e rrugëve të këtij korridori si dhe afatin e parashikuar për ndërtimin e tyre. Një pjesë e këtyre afateve kanë avancuar.

Korridori Blu është një projekt jo vetëm kombëtar, po edhe rajonal e evropian, pjesë e Rrjetit Rrugor Europian, i cili lidh Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë me unazën mesdhetare, që sot për sot ndalet në jug të Kroacisë. Autostrada parashikohet në jetë 1 mijë e 500 kilometra e gjatë ka një segment prej 318 kilometrash që kalon nga Shqipëria.