Kryetari i Partisë Social-demokrate, Skënder Gjinushi deklaron se Tom Doshin nuk e pengon asnjë gjë që të kandidojë si deputet. Gjinushi thotë për Top-Channel se, lista e kandidatëve të PSD në Shkodër është miratuar me vendim të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Sipas tij, Doshi ka deklaruar vetë një dënim të vitit 1990, që është parashkruar dhe rehabilituar me kohë.

“Lista e PSD për qarkun e Shkodrës është miratuar nga KQZ dhe Doshi është kandidat zyrtar me vendim të KQZ-së, që ka marrë formë të prerë e që s’mund ta cënojë askush. Kjo është marrë duke shqyrtuar atë që vetë Toma ka deklaruar, një dënim të vitit ’90, që ka të bëjë me prishjen e bashkëjetesës socialiste”, deklaron Gjinushi.

Gjinushi thotë se Tom Doshi është kandidat i ligjshëm, ndërkohë që beson se lajmi i përhapur është ndonjë lapsus si pasojë e verifikimeve të shumta që bën organi i akuzës.

Avokati i Tom Doshit, Vladimir Meçe ka reaguar pas lajmeve se deputetit do t’i hiqet e drejta e kandidimit në zgjedhjet e 25 qershorit.

Avokati i Doshit sqaron se ajo vepër penale tashmë është shlyer dhe Doshi e ka kaluar edhe periudhën e rehabilitimit për t’u konsideruar i pastër. Meçe sqaron  më tej se vepra penale e atëhershme sot nuk konsiderohet më e tillë dhe se në dënimin e Doshit nuk ka asnjë vendim të formës së prerë.

/Veritas.com.al/