Kjo valë e re infektimesh në vend për shkaka të variantit Delta cilësohet edhe si pandemia e të pavaksinuarve, pasi 95 % e shtrimeve në spital ku shfaqin dhe format më agresive nuk e kanë bërë vaksinën. Për zëvendës ministren e Shëndetësisë, Eugena Tomini vaksina është e vetmja shpresë për të larguar rastet fatale të vdekjeve si pasojë e COVID-19. Në një intervistë për Report Tv, Tomini tha se varianti Delta dominoi gjatë muajit gusht dhe këtë e lidhi si me vaksinimin ku qytetarët duhet ta bëjnë për të shmangur infektimet e rënda si edhe me faktin e sezonit turistik, ku njerëzit u treguan të shfrenuar duke mos respektuar masat mbrojtëse.

“Që më herët kemi bërë thirrje që varianti Delta do të kishte dominancë ngjatë muajit gusht dhe kjo është vënë re. Sundon varianti Delta dhe lidhet drejtpërdrejtë me vaksinimin. Sa më shumë të vaksinohemi aq më shumë do ulim rastet e rënda, vdekjen dhe prandaj kjo quhet edhe pandemia e të pavaksinuarve . Qëllimi i vaksinimit është për të minimizuar rastet e infektimit dhe ulë raste e rënda për jetën”, tha Tomini.

Në lidhje me shtrimet në Spitalin Infektiv ose COVID1, Tomin tha se janë nga të gjitha grupmoshat, por ato të reja shfaqin dhe rastet më agresive.

“Të shtruar te Spitali Infektiv kemi nga të gjitha grupmoshat dhe moshat e reja kanë shfaqur klinikë agresive dhe janë në monitorim intensiv. 95 % e të shtruarve në spital janë të pavaksinuar”, tha ajo.