Tre persona janë vrarë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur, të gjithë punonjës të bashkisë në Mat, të cilët ndodheshin në krye të detyrës.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Shëlli të Macukullit, pas një konflikti që dyshohet për motive pronësie. Sipas të dhënave zyrtare punonjësit Mentor Hoxha, Erzen Alija, Astrit Hani dhe Hamit Buçi kishin shkuar për të hapur një rrugë në fshatin Shëlli.
Ata kanë pasur një konflikt me një banor të fshatit që ka qëlluar drejt tyre me automatik. Në vend ka mbetur i vrarë Mentor Hoxha, ndërsa rreth 2 orë më pas ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës edhe Erzen Alija dhe pas tij dhe Hamit Buçi. I plagosur është shtetasi Astrit Hani. Policia ka arrestuar në kohë rekord autorin e sulmit me armë, 51-vjeçarin Kujtim Koxha.
NGJARJA NDODHI NË ORËT E DREKËS
Ndërsa kanë qenë duke punuar për hapjen e rrugës punonjësit janë konfliktuar me shtetasin Kujtim Koxha. Por grindja verbale ka zgjatur disa minuta, pastaj Koxha është larguar. Punonjësit janë ulur për të ngrënë drekë në një lokal të vogël të zonës.
utori i dyshuar Kujtim Koxha është kthyer me një automatik rreth orës 14:00 dhe ka qëlluar drejt tyre duke vrarë në vend Mentor Hoxhën dhe plagosur tre të tjerët. Erzen Alija dhe Hamit Buçi u transportuan në Spitalin e Traumës në kryeqytet për mjekim më të specializuar. Rreth 2 orë pasi u qëllua me automatik Erzen Alija dhe Hamit Buçi ndërruan jetë në spital.
Autori i dyshuar i masakrës, Kujtim Koxha, 51 vjeç, banues në Shëlli Mat, u kap rreth një orë larg vendngjarjes në një urë në Burgajet. Për kapjen e tij u vunë në ndjekje 40 forca policie. Ai është ish-kryetar i PS për zonën.
Ngjarja ka angazhuar një numër të madh punonjësish të policisë, ndërsa në krye të hetimeve është vetë kreu i Prokurorisë së Matit.
Veritas.com.al/