Një bankë në Tiranë

Tani është bërë e udhës që të mos tregohet emri i Bankës. Kjo e shton më shumë kureshtjen e  qytetarëve dhe vrapojnë te adresa që jep Policia. Policia ka thënë publikisht se Banka e grabitur ndodhet te “21 Dhjetori”. Besoj se shumë njerëz janë grumbulluar atje ku ndodhen shiritat e policisë “Ndal, Krim!”. Njerëz të papunë që kanë kureshtje si grabiten bankat. Disa prej tyre ndoshta mendojnë se si do të grabisin nesër një bankë tjetër.

Edhe ata që bënë grabitjen, sipas policisë, janë “popull i thjeshtë”. Policia thotë se “ishin dy persona, me armë dhe me maska dhe menjë motor të vogël”.

Grabitja e dytë, kasaforta në Bulgarec të Korçës

Grabitja këtu ka ndodhur herët në mëngjes, diku nga ora dy. Kanë grabitur kasafortën e një biznesi me materiale ndërtimi, ndoshta është dyqani i fshatit. Edhe këtu kanë qenë dy persona që kanë grabitur. Dyshohet se kanë vjedhur një sasi të madhe parash, por akoma nuk dihet sa. Madje nuk dihet nëse kasaforta kishte para. Por grabitja është kryer si një krim kundër pronës së tjetrit.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes- deklaron Policia.

Grabitet një kompani private në mes të Fierit, zhduken 220 milionë lekë

Pre e grabitësve ka rënë një kompani private e pajisjeve elektronike, e cila ishte duke i dërguar paratë në bankë në kohën kur u sulmua dhe iu rrëmbyen 220 milionë lekë.

Dy persona të armatosur dhe me maska kanë ndaluar menaxherin e firmës “AZA Electronics” në Fier dhe i kanë marrë çantën ku ishin 220 milionë lekë të vjetra.

Edhe në Fier, dy grabitësit janë larguar me një motor.

/Veritas.com.al/