Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit të shtunën e 2 prillit ka dhënë masën arrest me burg për ish-deputetin Alqi Bllako.

Bllako akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” gjatë kohës që mbante postin e këshilltarit në Ministrinë e Mjedisit.

SPAK-u e ka akuzuar Alqi Bllakon se, në bashkëpunim me Lefter Kokën dhe zyrtarë vendorë në Fier, kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë ndryshuar destinacionin e pronës ku do të ndërtohej inceneratori.

 Sipas SPAK-ut, ish-deputeti Bllako ka favorizuar kompaninë fituese të inceneratorit të Fierit dhe ka marrë si ryshfet shumën prej 14.9 milionë lekësh në formën e pagesave që janë kaluar për llogari të babait të tij, Edmond Bllako.

Disa ditë më parë, kjo Gjykatë theksoi se duhet të vijohet zbatimi i masës arrest me burg edhe për ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Ky i fundit dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

Dënimin me burg do e vuajnë edhe edhe ish-kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi, ish-kryekomunari Azem Shatëri dhe ish-anëtari i Komisionit, Florjan Muçaj. Të tre shtetasit akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Shtetasit e lënë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” janë ish-anëtarja  e komisionit, Sabina Cenameri, me akuzën e  “shpërdorimit të detyrës”.

Kujtojmë që SPAK ka lëshuar 10 urdhër arreste për hetimin që lidhet me inceneratorin e Fierit, ku tetë ishin masa sigurie “arrest me burg” dhe dy në “arrest shtëpie”.

Vendimet e SPAK-ut për inceneratorin e Fierit

SPAK mbi bazën e kallëzimit penal të bërë nga subjektet politike Nisma Thurje, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ka publikuar dokumentin mbi hetimet e kryera për inceneratorin e Fierit.

Ai ka bërë të ditur se, nga hetimet ka rezultuar se, në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, nga anëtarët e Komisionit të Koncesionit, në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin.

(Inceneratori i Fierit)

Gjithasht nga hetimet kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundërligjshme të kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, shtetasit Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me ish-ministrin Koka, dhe ish-sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit, Bllako.

Këta shtetas kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, duke paraqitur dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”.

Pika e tretë e dokumentit të publikuar të SPAK-ut tregon se kanë rezultuar të dhëna se nga shoqëritë “Integrated Technology Waste Treatment Energy” sh.p.k., (shoqëria që ka përfituar koncesionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncesionit) janë pranuar fatura tatimore shitjeje.

Po ashtu janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer.

(Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka)

Shoqëria sh.p.k., ka përfituar në mënyrë të paligjshme shumën 146 milionë e 83 mijë e 71 lekë.

Gjithashtu, SPAK ka gjetur të dhëna që mund të krijojnë dyshimin që shuma e sipërpërmendur është paguar nga “Integrated Technology Waste Treatment Fier” drejt ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit.

Shtetasi Klodian Zoto, në cilësinë e aksionerit te shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, si dhe shtetasi A.M., në cilësinë e administratorit të shoqërisë, kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare.

SPAK vërteton që shtetasi Lefter Koka ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria e koncesionit “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., përfitime të parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare, duke përdorur disa shoqëri të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij dhe prej personave familjarë të tij.

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Mjedisit, deputeti i PS-së, Alqi Bllako

Në vendimin e zbardhur të SPAK-ut konstaton se nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se, nga ana e Alqi Bllakos, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit dhe më pas drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k..

Kjo kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14 milionë e 964 mijë e 900 lekë.