Frrok Çupi/
Nuk u mbuluan nën “çadër”, por thellë në tokë. “Çadra” në bulevard është nukli ku vërtiten të gjitha lëvizjet dhe të vërtetat; të hapëta e të pa hapëta. Gjatë gjithë ditës “lordët”e të vërtetave të fshehura bënë gjestin që bën autori kur kujton vendin e krimit. “Lordët” e të vërtetave ngado që shkuan, një sy e mbanin te gropa ku e fshehën secili të vërtetën e vet.
1.
E vërteta e parë e shkarkimit në masë të ministrave socialist.
Po të shkarkohej vetëm njëri, ai i Ministrisë së Brendshme, do të zbulohej krimi. Të gjithë e dinë se Tahiri ka një akuzë mbarëbotërore për lidhjen me krimin. Ky është edhe kujdestari kryesor i qeverisë për kultivimin dhe trafikimin e drogës në gjithë vendin. Para protestës qytetare me moton: “Të largohet qeveria e krimit dhe e drogës”, kryeministri nuk kishte si e fshihte realitetin “kolumbian” të vendit. Majtistët liberal të BE që duan ta mbrojnë me çdo kusht “plasdarmin” e fundit majtist që po struket këndej nga Lindja, u ndodhën mes dy rrugëve: Ta mbrojnë “Rilindjen”, por duke dorëzuar krimin dhe drogën; ndryshe do të merrnin kosto para gjithë botës. Edhe ata që kanë gisht në drogën e vendit si zonja Mogherini që ka mbesën (vajzë e vëllait) anëtare të trafikut të drogës Shqipëri- Itali, nuk mund të rezistonin më.
Por si mund të shkarkohej vetëm Tahiri? Atëherë qeveria do të vinte gishtin mu në plagën e vet. Përveç që duhej përkëdhelur djaloshi që kishte marrë emrin e komunistit “Koci Bako” në Luftën e Dytë. Komunisti rrezikonte të tregonte “shokët”, po të ndëshkohej i vetëm. Atëherë kryeministri bëri shumë ministra në tufë dhe i hodhi, bëri shumë bashkë me qëllim që brenda tyre të paketonte Tahirin. Kur bëri shumë, kryeministri fshehu edhe një të vërtetë tjetër “skenarizmi”: Të angazhojë miqtë sorosian në BE që të ngrenë flamurin: “E shikoni, shkarkoi 4 ose 6 ministra, çfarë doni më shumë, qeveria e rënë quhet!?”
Dhe më e fundit çfarë fshehu kryeministri: Barrikadën qeveritare që po i vë një krimi të zbuluar më së fundmi. Pse emëroi si ministra dy persona luftëtarë pro- mbetje, Shalsi dhe Xhaçka. Duket sikur nisi një stinë e re për mbrojtjen e fshehjes së mbetjeve.
Mediat dhe Investigatorët shtetëror të Italisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë po thonë se “këtu janë groposur 1300 kontenierë me mbetje toksike”. Sot- sipas njoftimit që dha kryetari i Opozitës,- shteti Amerikan ka shprehur shqetësim për helmet e groposur. Por këtu mund të jenë demontuar edhe armët kimike të Sirisë në vitin 2014, kaq fshehtas sa 1300 kontenierët. Zoti Arvizu- ambasador i SHBA, që ka dijeni nuk ndodhet më këtu e nën kontroll, dy të tjerë që kanë dijeni gradohen si ministra.
Por asnjë nga këto nuk u tha.
2.
E vërteta Lë-Së-Iste rreth “kullës së barit”.
Më duket se ky fjalëformim edhe shkon; ose duket sikur shkon sepse në periudhën e diktaturës kishim dëgjuar shpesh të thuhej “Lej-Feni-Ste” si sot “Le-Se-Iste”. LSI, partia motër në pushtetin binjak, nuk ka qenë kurrë më e shëmtuar se sot. Mendoni pozitën e saj: Kryeministri i mundur tashmë dhe në grahmën e fundit, u tall me LSI; dhe LSI u shfaq më poshtë se vetë qeveria e rënë tashmë. Kryeministri i dha reston duke emëruar Xhafën si ministër i Punëve të Brendshme. Xhafa është një komunist i egër, aq sa vetë diktatori Hoxha do ta kishte akuzuar për egërsi si Koci Xoxën. Por Ilir Metës së LSI i bën hije dhe sfidë; madje më shumë se vetë Tahiri të cilit i kishte kërkuar “kokën” sipas medias.
Po LSI me kryetar “të hekurt”, sot u shfaq e qullët. Nxori disa në skenë autoritete periferike që të denoncojnë fotot e Xhafës me diktatorin Hoxha- një pamje që më shumë i bën nder kryeministrit se sa dëmton Xhafën. Pas kësaj- asgjë. Të gjithë po shikojnë me habi pse Meta është ulur përtokë. Gjithë kjo situatë vjen si rezultat i fshehjes së të vërtetës. Ilir Meta e di se Rama nuk ka më të ardhme por nuk e thotë. Pyetja është në cilin port do të ankorohet Meta. Ky ka premtuar rolin e opozitës; por kjo nuk besohet si e vërtetë.
E vërteta e Metës është pritja për administratën Trump nëse dikush mund t’i japë një sinjal. Për nga BE, Meta nuk hedh sytë, sa pse ia ka mbyllur dyert Rama i Socialistëve, sa se nuk ka më peshë cilësori“Integrim” i LSI. BE përjeton krizën e vet.
3.
E vërteta e pa shpallur e Çadrës.
Sot kryetari i Opozitës, Basha, që prin protestën qytetare për zgjedhje të lira, ishte në një drekë punë me ambasadorët e vendeve të BE- u tha. Kur u kthye tha frazën standard të “përkrahjes dhe marrëdhënieve të mira” nga partnerët. Në fakt tha gjysmë të vërtetë. Partneri që mbështet ndryshimet politike në Shqipëri është vetëm Amerika pas fitores së Donald Trump. Vendet anëtare të BE do të donin të mos e shikonin Çadrën e protestës as në Bulevard, as në Dajt. Majtistët e BE duan ta ruajnë gjendjen moçalike politike në Tiranë dhe në Lindje, por në Tiranë sidomos.
Që nga dita kur u ngrit Çadra, zoti Basha artikuloi fraza nga doktrina e Trump, si psh: “Nesër asgjë nuk do të jetë si sot”. Me Çadrën e Ndryshimit aleati kryesor, ndoshta i vetëm, është Shtetet e Bashkuara dhe ndryshimi që po vjen në Europë. Për pak ditë pritet që ky mesazh të vijë i hapur për Çadrën dhe për gjithë Shqipërinë. Mirëpo këtë të vërtetë nuk e thotë akoma lideri i Opozitës.
Zbardh dita edhe nesër…
/Veritas.com.al/