Një person humbi jetën e 5 të tjerë mbetën të plagosur nga një shpërthim përpara një gjykate në Podgoricë, njëri prej të lënduarve është në gjendje të rëndë.

Një 39-vjeçar me inicialet M.B. mendohet të ketë aktivizuar një bombë dore në hyrje të ndërtesës së Gjykatës Themelore, nga e cila humbi jetën vetë.

Të plagosurit janë persona që ndodheshin aty pranë. Policia ka nisur menjëherë hetimet por ende nuk ka të dhëna mbi motivet e ngjarjes së rëndë, e cila pason një periudhë kërcënimesh të rreme për vendosje bombash, prej të cilave ditët e fundit janë evakuuar godinat ku mblidhet Këshilli Bashkiak i Podgoricës, ajo e Gjykatës së lartë dhe ajo e Apelit.

Një person u arrestua sakaq në komunën e Tuzit pasi dyshohet se ka shtënë me pushkë gjuetie mbrëmjen e djeshme. Sipas policisë, 40-vjeçari Emin Beçoviç ka tentuar të pengojë tubimin zgjedhor të një koalicioni politik, e aty ka qëlluar dy herë me pushkë.

Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati të lënduar. Në Tuz, një komunë kjo me shumicë shqiptare afër Podgoricës, zgjedhjet lokale janë caktuar mbahen në 5 mars. Forumi Shqiptar njoftoi se e kishin anuluar tubimin zgjedhor në zonë e Mileshit atje pikërisht për shkak të sulmit të Beçoviçit.

Forumi shqiptar udhëhiqet nga Alternativa Shqiptare e kryetarit aktual të komunës së Tuzit, Nik Gjeljoshaj, ku bëjnë pjesë edhe Aleanca Demokratike e Shqiptarëve, Bashkimi Kombëtar Shqiptar dhe Aleanca Demokratike e Malit të Zi. Këto dy lista janë konkurrentet kryesorë në zgjedhjet lokale në Tuz.