Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka pezulluar sulmet e planifikuara ndaj Iranit, me kusht që Teherani të arrijë shpejt një marrëveshje që përfshin hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe eliminimin e kërcënimit bërthamor.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se SHBA-ja dhe Izraeli kishin vendosur të anulonin sulmet e planifikuara ndaj Iranit, duke lënë të hapur mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike.
“Bazuar në këtë kërkesë, kam rënë dakord për të mirën e botës të ndërpres sulmin, me kusht që një marrëveshje të arrihet shpejt. Izraeli më bashkohet në këtë angazhim”, shkroi presidenti amerikan.
Sipas tij, marrëveshja do të përfshijë hapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit dhe dhënien fund të kërcënimit bërthamor iranian.
Në të njëjtin postim, Trump theksoi se forcat amerikane ishin “plotësisht të armatosura dhe të gatshme” për t’u përballur me Iranin “me një nivel force ushtarake që nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore”. Megjithatë, ai tha se kishte vendosur të tërhiqej pasi, sipas tij, Irani dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme kishin kërkuar shtyrjen e sulmeve për t’i hapur rrugë negociatave. Presidenti amerikan la të kuptohej gjithashtu se është bërë përparim në bisedime, duke deklaruar se “parametrat e një marrëveshjeje janë rënë dakord”.
Deri tani, autoritetet iraniane nuk kanë reaguar ndaj deklaratave të Trump. Më herët, Teherani kishte akuzuar SHBA-në për përshkallëzim të tensioneve dhe kishte paralajmëruar se çdo shtet rajonal që bashkëpunon me Uashingtonin do të “përfshihet nga flakët e luftës”.
Përplasjet mes SHBA-së dhe Iranit janë intensifikuar muajt e fundit, me sulme dhe kundërsulme që kanë përfshirë objektiva ushtarake dhe energjetike.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më strategjike të botës për transportin e naftës, ndërsa çdo përshkallëzim i konfliktit rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë.
Komente