
Presidenti amerikan Trump po ecën përpara me planet për të shfuqizuar Departamentin e Arsimit.
Trump pritet të nënshkruajë urdhrin ekzekutiv në vijim të një premtimi të bërë gjatë fushatës për shpërbërjen e departamentit, duke pretenduar se departamenti ishte plot me “radikalë, fanatikë dhe marksistë”.
Një dokument i Shtëpisë së Bardhë thotë se masa “do t’ua kalojë arsimin familjeve në vend të burokracive”. Trump dhe përkrahësit e eliminimit të departamentit kanë thënë prej kohësh se agjencia ka dështuar në misionin e saj.
“Rezultatet e NAEP (Vlerësimi Kombëtar i Progresit Arsimor) zbulojnë një krizë kombëtare – fëmijët tanë po mbeten prapa,” tha për Fox News Harrison Fields, zëvendëssekretari kryesor i shtypit i Shtëpisë së Bardhë.
“Gjatë katër viteve të fundit, demokratët kanë lejuar miliona të mitur të paligjshëm të hyjnë në vend, duke vënë nën presion burimet shkollore dhe duke hequr fokusin nga nxënësit amerikanë.”
“Së bashku me rritjen e indoktrinimit anti-amerikan CRT (teoria kritike e racës) dhe DEI (diversiteti, barazi, përfshirje), kjo po dëmton më të pambrojturit tanë”, shtoi ai.
“Urdhëri ekzekutiv i Presidentit Trump për të zgjeruar mundësitë arsimore do fuqizojë prindërit, shtetet dhe komunitetet që të marrin kontrollin dhe të përmirësojnë rezultatet për të gjithë nxënësit.”
Direktiva vjen pasi Senati votoi për të konfirmuar Linda McMahon, ish-drejtoe e Ëorld Ërestling Entertainment (ËËE), për të udhëhequr agjencinë më 3 mars. McMahon lëshoi një memo më vonë atë ditë duke përshkruar mbështetjen e saj për planet e administratës Trump për departamentin dhe se ajo do mbikëqyrte një “epokë të re llogaridhënieje” në ditët e fundit të agjencisë.
“E vërteta e sistemit tonë arsimor është e zymtë dhe populli amerikan ka zgjedhur Presidentin Trump për të bërë ndryshime të rëndësishme në Uashington”, tha McMahon në memorandumin e 3 marsit.
“Detyra jonë është të respektojmë vullnetin e popullit amerikan dhe të Presidentit që ata zgjodhën, i cili na ka ngarkuar të arrijmë eliminimin e fryrjes burokratike këtu në Departamentin e Arsimit, një mision përfundimtar i rëndësishëm – shpejt dhe me përgjegjësi”.
Pas raportimeve se Trump planifikoi të nënshkruante urdhrin ekzekutiv, Federata Amerikane e Mësuesve lëshoi një deklaratë duke i kërkuar Kongresit të kundërshtojë urdhrin ekzekutiv dhe “t’i bëjë të qartë presidentit se qeveria federale, përballë këtij urdhri, nuk do heqë dorë nga përgjegjësia e saj ndaj të gjithë fëmijëve, studentëve dhe familjeve, të cilët meritojnë një të ardhme plot premtime dhe mundësi, jo ëndrra të pakësuara”.
Pavarësisht se janë shpenzuar miliarda dollarë në arsim, rezultatet e nxënësve dhe studentëve amerikane lënë për të dëshiruar. Shtëpia e Bardhë citoi 13 shkolla të mesme në Baltimore, në të cilat asnjë nxënës nuk shfaqi aftësi në matematikë në vitin 2023, si dhe paratë e shpenzuara për të mësuar “ideologjitë radikale”.
“Administrata e Trump kohët e fundit anuloi 226 milionë dollarë grante nën Programin Gjithëpërfshirës të Qendrave që detyroi axhendat radikale në shtete dhe sisteme, duke përfshirë diskriminimin me bazë racore dhe ideologjinë e identitetit gjinor”, thuhet në dokumentin e Shtëpisë së Bardhë.
Nën administratën Biden, shkollat u detyruan të ridrejtojnë burimet për t’u pajtuar me “nismat ideologjike”, eksperimentet sociale dhe programet e vjetruara, tha Shtëpia e Bardhë.
Përveç kësaj, Trump ka mbështetur kthimin e arsimit në shtete dhe rimendimin e shkollave.
“Unë dua që çdo prind në Amerikë të fuqizohet për të dërguar fëmijën në shkollë publike, private, ose fetare sipas zgjedhjes së tyre,” tha ai.
“Ka ardhur koha për zgjedhjen universale të shkollës. Ndërsa ne do kthejmë arsimin në shtete, unë do përdor çdo fuqi që kam për t’u dhënë prindërve këtë të drejtë.”
Pavarësisht urdhrit të Trump, presidenti ka nevojë që Kongresi të nënshkruajë për çrrënjosjen e agjencisë, sipas nenit II të Kushtetutës së SHBA. Një masë e tillë do kërkonte 60 vota për të kaluar në Senat ku aktualisht janë vetëm 53 republikanë.
Megjithatë, ka një “oreks” në Kongres për të eliminuar departamentin. Përfaqësuesi Thomas Massie, prezantoi një masë më 31 janar për të hequr Departamentin e Arsimit deri në dhjetor 2026.
“Burokratët e pazgjedhur në Uashington, D.C., nuk duhet të jenë përgjegjës për zhvillimin intelektual dhe moral të fëmijëve tanë,” tha Massie në një deklaratë të 31 janarit.
“Shtetet dhe komunitetet lokale janë të pozicionuara më së miri për të formuar kurrikulat që plotësojnë nevojat e nxënësve të tyre. Shkollat duhet të jenë të përgjegjshme.”
Trump u tha gazetarëve më 4 shkurt se edhe pse ai kishte emëruar McMahon për të drejtuar Departamentin e Arsimit, ai përfundimisht donte që ta mbyllte departamentin.
“Ajo që dua të bëj është t’i lë shtetet të drejtojnë shkollat,” tha Trump.
“Unë besoj fort në zgjedhjen e shkollës. Por përveç kësaj, dua që shtetet të drejtojnë shkollat .”
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt sinjalizoi gjithashtu se populli amerikan mund të mbështetet te presidenti Trump për të ecur përpara me plane të tilla për të shpërbërë departamentin.
“Presidenti Trump bëri fushatë në bazë të atij premtimi dhe unë mendoj se populli amerikan mund të presë që ai ta përmbushë atë,” i tha Leavitt Stuart Varney në “Varney & Co” më 4 shkurt.
Departamenti i Arsimit, i themeluar në vitin 1980, ka si synim përmirësimin e bashkërendimit të programeve federale të arsimit dhe të mbështesë sistemet shkollore shtetërore dhe lokale, sipas faqes së tij të internetit. Agjencia mori një buxhet prej 79.1 miliardë dollarë në vitin fiskal 2024.
Trump tha në një tubim në shtator 2024 se ai donte të thane “kënetën arsimore të qeverisë dhe të ndalonte abuzimin me dollarët e taksapaguesve për të indoktrinuar rininë e Amerikës me të gjitha llojet e gjërave që ju nuk dëshironi që të rinjtë tanë t’i dëgjojnë”.
Kritikët e Departamentit të Arsimit kanë vënë në dukje gjithashtu “Kartën e Raportit të Kombit”, Vlerësimi Kombëtar i Progresit Arsimor 2024 (NAEP) i publikuar çdo dy vjet, i botuar më 27 janar. Provimi teston nxënësit e klasave të katërta dhe të teta dhe gjeti rezultate të njëjta të dobëta në matematikë për nxënësit e klasës së tetë krahasuar me vitin 2022, ndërsa rezultatet e leximit ranë me dy pikë në të dyja klasat.
Ish-sekretarja e Arsimit Betsy Devos tha se SHBA-së i duhet një “rivendosje e plotë” kur bëhet fjalë për arsimin që u jep përparësi studentëve në një artikull për Fox News.
Si rezultat, SHBA-së ka nevojë për një “rivendosje të plotë” që u jep përparësi studentëve, tha ajo. Kjo fillon me mbylljen e Departamentit të Arsimit, një agjenci që është përqendruar më shumë te larmishmëria, barazinë dhe përfshirja (DEI) sesa themelet e arsimit, tha ajo.
Ndërkohë, demokratët i bënë presion Departamentit të Arsimit për më shumë informacion në lidhje me të ardhmen e tij në shkurt, mes shqetësimeve se administrata Trump do mbyllte agjencinë.
“Ne nuk do qëndrojmë duarkryq dhe të lejojmë që kjo të ndodhë me studentët, prindërit, huamarrësit, arsimtarët dhe komunitetet e vendit,” shkruajtën ligjvënësit në një letër drejtuar Sekretares në detyrë të Arsimit Denise Carter më 5 shkurt.
“Kongresi krijoi Departamentin për të siguruar që të gjithë studentët në Amerikë të kenë qasje të barabartë në një arsim me cilësi të lartë dhe se të drejtat e tyre civile mbrohen pa marrë parasysh kodin e tyre postar.”
Komente