
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump pezulloi gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën, pas përplasjes së tij me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky javën e kaluar në Zyrën Ovale.
“Ne po e ndalojmë dhe shqyrtojmë ndihmën tonë, për t’u siguruar se ajo i kontribuon zgjidhjes”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke folur në kushte anonimiteti.
“Presidenti ka qenë i qartë se është i përqendruar në paqe. Ne kemi nevojë që partnerët tanë të përkushtohen ndaj këtij qëllimi”, tha zyrtari, sipas AFP-së.
Bloomberg dhe Fox News raportojnë se pauza do të zgjasë derisa Trump të përcaktojë se udhëheqësit e vendit janë të përkushtuar – me besim të mirë – ndaj paqes.
“Kjo nuk është ndalesë e përhershme e ndihmës – është pauzë”, citoi Fox News një zyrtar të administratës Trump.
Çdo ndalesë e armëve amerikane për luftëtarët në vijën e parë të frontit do t’i dobësonte me shpejtësi kapacitetet e tyre për të mposhtur pushtimin rus.
Demokratët e dënuan menjëherë vendimin, duke e cilësuar si të rrezikshëm dhe të paligjshëm.
“Kolegët e mi republikanë, të cilët e kanë quajtur [presidentin rus, Vladimir] Putin kriminel lufte dhe kanë premtuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën, duhet të bashkohen me mua dhe të kërkojnë që presidenti Trump të heqë dorë nga kjo ngrirje katastrofike dhe e paligjshme”, tha përfaqësuesi demokrat, Gregory Meeks.
Komente