Rusia duhet të përqendrohet në përfundimin e luftës me Ukrainën në vend që të testojë raketa, tha të hënën presidenti i SHBA-së, Donald Trump, një ditë pasi Moska tha se përfundoi testin e raketës së saj të re me energji bërthamore “Burevestnik”.

Duke folur me gazetarët në bordin e “Air Force One”, ndërsa udhëtonte nga Malajzia në Japoni, si pjesë e një turneu në tre vende të Azisë, Trump iu përgjigj raketës së re të Rusisë, e cila është e aftë të udhëtojë 14 mijë kilometra.

Ai minimizoi rëndësinë e testit, duke thënë se SHBA-ja ka nëndetëse bërthamore “pikërisht pranë brigjeve të tyre” që nuk ka nevojë të udhëtojë distanca të tilla. “Ne testojmë raketa gjatë gjithë kohës”, shtoi Trump.

“Ju duhet t’i jepni fund luftës, në vend që të testoni raketa”, tha Trump.

Presidenti amerikan ka udhëhequr përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë që nga fillimi i mandatit të tij të dytë në janar.

Ai u takua me homologun e tij rus Vladimir Putin në gusht, por anuloi një tjetër samit të planifikuar në Budapest këtë muaj, duke thënë se nuk donte një “takim të humbur”. Rusia ka refuzuar kërkesën e SHBA-së dhe Evropës për të “ngrirë” konfliktin në vijën aktuale të kontaktit.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *