Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet ta “zotërojnë” Groenlandën për të parandaluar që Rusia dhe Kina të marrin kontroll mbi territorin strategjik arktik.
“Vendet duhet të kenë pronësi dhe ta mbrojnë atë. Nuk mbrohen qiratë,” tha Trump të premten para gazetarëve, në përgjigje të një pyetjeje të BBC. “Dhe ne do të duhet ta mbrojmë Groenlandën.”
Ai shtoi se kjo mund të bëhet “në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë”. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar së fundmi se administrata po shqyrton mundësinë e blerjes së Groenlandës, territor gjysmë-autonom i Danimarkës, anëtare e NATO-s, pa përjashtuar as opsionin e aneksimit me forcë.

Danimarka dhe Groenlanda kanë deklaruar qartë se territori nuk është në shitje. Kopenhaga ka paralajmëruar se çdo veprim ushtarak do të sillte fundin e aleancës transatlantike të mbrojtjes.
Shqetësimet për të ardhmen e Groenlandës janë rritur pas përdorimit të forcës ushtarake nga Trump kundër Venezuelës të shtunën, ku u kap presidenti Nicolás Maduro.Trump kishte shprehur edhe më parë interes për blerjen e ishullit në vitin 2019, gjatë mandatit të tij të parë presidencial, por ishte refuzuar.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të zhvillojë bisedime me autoritetet daneze javën e ardhshme. Ndërkohë, vitet e fundit është shtuar interesi për burimet natyrore të Groenlandës, përfshirë mineralet e rralla, uraniumin dhe hekurin, të cilat po bëhen më të aksesueshme për shkak të shkrirjes së akullnajave nga ndryshimet klimatike. Shkencëtarët besojnë se territori mund të ketë edhe rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi.

Në një deklaratë të përbashkët të premten mbrëma, liderët e partive politike të Groenlandës, përfshirë opozitën, kërkuan që të marrë fund “mosrespektimi i SHBA-së ndaj vendit tonë”.
“Nuk duam të jemi amerikanë, nuk duam të jemi danezë, duam të jemi groenlandezë,” thuhet në deklaratë. “E ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset nga populli i Groenlandës.”
Megjithëse është territori më pak i populluar në botë, Groenlanda ka rëndësi të madhe strategjike për shkak të pozicionit të saj midis Amerikës së Veriut dhe Arktikut, duke shërbyer si pikë kyçe për sistemet e paralajmërimit të hershëm ndaj sulmeve me raketa dhe për monitorimin e lëvizjeve detare në rajon.

Trump ka përsëritur vazhdimisht se Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke pretenduar pa prova se ajo është “e mbushur me anije ruse dhe kineze”. Shtetet e Bashkuara kanë tashmë mbi 100 ushtarakë të stacionuar në mënyrë të përhershme në bazën Pituffik, në veriperëndim të Groenlandës, e cila funksionon që nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas marrëveshjeve ekzistuese me Danimarkën, SHBA ka të drejtë të dislokojë sa trupa të dëshirojë në territor. Megjithatë, Trump ka theksuar se një marrëveshje qiraje nuk mjafton. “Vendet nuk mund të bëjnë marrëveshje nëntëvjeçare apo as 100-vjeçare. Duhet pronësi,” tha ai.

“I dua njerëzit e Kinës dhe të Rusisë,” shtoi Trump, “por nuk i dua si fqinjë në Groenlandë. Kjo nuk do të ndodhë.” Aleatët e Danimarkës në NATO, përfshirë vendet kryesore evropiane dhe Kanadanë, kanë shprehur mbështetjen e tyre këtë javë, duke theksuar se vetëm Danimarka dhe Groenlanda mund të vendosin për marrëdhëniet e tyre. Ata kanë bërë thirrje për ruajtjen e parimeve të Kartës së OKB-së, përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve./

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *