Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump tha përmes një deklarate të premten se do të emërojë financierin Scott Bessent në postin e Sekretarit të Thesarit.

Bessent, 62 vjeç, është themeluesi i fondit “Key Square Capital Management” dhe ka punuar vazhdimisht për “Soros Fund Managment” që nga viti 1991. Nëse konfirmohet, ai do të jetë homoseksuali i parë në postin e Sekretarit të Thesarit në Shtetet e Bashkuara. Ai është një mbështetës i kontrollit të ashpër të deficitit dhe ka thënë se do të punojë për të ulur borxhin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

“Ky cikël zgjedhor është shansi i fundit për Shtetet e Bashkuara për të dalë nga ky mal me borxhe pa u bërë një lloj demokracie socialiste e stilit europian”, tha ai për agjencinë e lajmeve “Bloomberg” në gusht.

Zoti Trump njoftoi gjithashtu emërimin e Russell Thurlow Vought në postin e Drejtorit të Zyrës së Menaxhimit të Buxhetit dhe ish-ligjvënësen Lori Chavez-DeRemer në postin e Sekretares së Departamentit të Punës.

Presidenti i zgjedhur Trump gjithashtu njoftoi emërimin e ish trajnerit të disa ekipeve të futbollit amerikan, Scott Turner në postin e Sekretarit të Strehimit dhe Zhvillimit Urban dhe ish-zyrtarin e Departamentit të Shtetit Alex Wong në postin e zëvendës këshilltarit të sigurisë kombëtare./VOA

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *