Reforma Zgjedhore nuk është arritur që të mbyllet brenda datës së sotme (31 Maj), siç ishte premtuar. Palët politike nuk kanë gjetur rrugën e marrëveshjes.

Pas rreth 4 orësh, palët, edhe pse kishin rënë dakord që Reforma të mbyllej sonte, nuk  kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Ndërkohë Këshilli Politik do të vijojë mbledhjet pas 31 majit ku e radhës pritet të jetë nesër.

Bashkëkryetari i Komisionit për Tryezën Zgjedhore, Damian Gjiknuri ka thënë se tryeza e Këshillit Politik kishte një paketë gati të përfunduar por opozita del nga kërkesat që në fillim i quan parakushte.

Gjiknuri thotë se paketa është gati e përfunduar por do të vijohet dhe Shqipëria do të ketë një Kod të Ri Zgjedhor para zgjedhjeve të 2021 dhe do të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar.

Përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi ka bërë me dije pikat ku nuk kanë gjetur një konsensus.

“Opozita ofroi konsensus. Por PS nuk ishte e gatshme duke synuar që të mbajë një proces zgjedhor si 30 qershori. Opozita nuk heq dorë për garancitë e votës. Jemi të gatshëm për të vazhduar punën dhe presim që PS të bëjë hapat e parë.” tha Bylykbashi.

“Nuk është çështje pazaresh politike. Bëhet fjalë për themelin e votës. Kjo do të thotë të rrisësh garancitë minimale në proces. Propozimet nuk sigurojnë asnjë privilegj për opozitën vetëm barazi. Kjo është dhe mbetet qëndrim parimor i cili nuk ka mundësi të negociohet. Në plotësojmë një kusht të rëndësishëm të BE” tha Vasili.

“Të gjitha përpjekjet e PS që të mbajë privilegjet dhe të mos heqi dorë nga komisonet dhe Kontrolli i KQZ, tregojnë vlerën e qëndrimeve të opozitës. Boshllëqet që ata kërkojnë të krijojnë janë të mëdha. Falenderoj kontributin e partnerëve ndërkombëtar për kompromis. Janë privilegje të qeverisë mbi procesin zgjedhor dhe është e papranueshme. Jemi të gatshëm për zgjidhje me kompromis” ka shtuar Bylykbashi.

 

Veritas.com.al/