Sipas New York Times/
Turq nga e gjithë bota po udhëtojnë për në shtëpi që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Kjo mund të duket e kotë, përderisa presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili erdhi në pushtet në vitin 2003, i ka braktisur prej kohësh përpjekjet për të ndërtuar një demokraci myslimane model dhe ka favorizuar një qeveri që sa vjen e bëhet më konservatore e më fetare.
Por ngaqë këto zgjedhje do t’i japin edhe më shumë pushtet presidentit, interesi për të votuar ka qenë në rritje. Ndonëse Erdogani ka pasur përparësi, tani ka konkurrencën më serioze se kurrë nga opozita, dhe, siç thonë ekspertët, ka nisur të ndiejë frikë. Kjo është shenjë e mirë për demokracinë turke, pavarësisht se kush fiton.
Rreziku dhe dobësia e udhëheqjes së Erdoganit sa vjen e po bëhet më e dukshme për popullin, pasi zhvillimi ekonomik që i dha mbështetje të madhe ka nisur të zbehet. Ai ka lejuar korrupsionin, ka rrëzuar rendin ligjor dhe ka larguar SHBA-në e vendet e tjera të NATO-s, ndërkohë që i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë dhe Iranit. Ka pasur pak investime të huaja që futen në vend, dhe kapitali i turqve vazhdon të dalë nga vendi, duke kërkuar shtete me qëndrueshmëri politike.
Fakti që zgjedhjet po bëhen më herët se ç’ishin planifikuar, tregon vendosmërinë e Erdoganit për të qëndruar në pushtet, por edhe faktin që ndihet i pasigurt. Ai është tronditur nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare në vitin 2015, nga një grusht shteti në vitin 2016, dhe nga akuzat për korrupsion ndaj tij dhe ndaj familjarëve.
Tani që ekonomia e Turqisë është në telashe, me rënien e monedhës vendase, me rënien e mbështetjes së votuesve të tij në zona urbane e të shtresës së mesme, ai po përpiqet të sigurojë edhe një mandat presidencial para se kushtet e tij të përkeqësohen e t’i dobësohet popullariteti. Sondazhet tregojnë që mbështetja ndaj tij nuk është më e madhe se 51%.
Erdogani, i cili ndërtoi një pallat gjigant dhe ekstravagant për vete, si dhe një xhami të stërmadhe, ka shumë për të humbur. Këto zgjedhje mund t’i mundësojnë një kapje të plotë të pushtetit, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese që morën miratim të vogël nga populli në një referendum të mbajtur vitin e shkuar. Sipas këtyre ndryshimeve, kabineti i ministrave, të cilët janë tashmë anëtarë të parlamentit, do të zëvendësohen nga këshilltarë të emëruar. Shumë veta druajnë se kjo do ta bëjë parlamentin të pafuqishëm, sidomos nëse Erdogani rizgjidhet e nëse partia e tij mban kontrollin.
Duke parë se çfarë pushteti të gjerë ka, Erdogani duhet ta ketë fitoren të sigurt. Gjatë tre mandateve si kryeministër dhe një mandati si president, ai ka përdorur forcën, korrupsionin, klientelizma dhe nacionalizëm agresiv për të ruajtur kontrollin mbi parlamentin, ushtrinë, gjyqësorin dhe mediat.
Shumica e mediave në Turqi janë pronë e kompanive të lidhura me Erdoganin, ndaj i kanë kushtuar pak rëndësi fushatave të rivalëve. Këmbëngulja e dëshpëruar e Erdoganit për të shtypur kundërshtarët ka çuar në burgosjen e më shumë se 120 gazetarëve dhe mbylljen e 180 mediave. 50,000 turq janë arrestuar, që nga grushti i shtetit, e mes tyre ka shumë ushtarakë, mësues dhe politikanë kundërshtarë. 110,000 janë pushuar nga puna ndërkohë që gjendja e emergjencës, e vendosur gjatë grushtit të shtetit, qëndron në fuqi.
Turqia ka një bazë ajrore shumë të madhe në Incirlik, ku ushtria amerikane kontrollon një stacion me armë bërthamore. Megjithatë, Erdogani fryn pasionet nacionaliste duke folur kundër SHBA-ve dhe duke sulmuar separatistët kurdë në juglindje të Turqisë, si dhe aleatët e tyre kurdë në Siri dhe Irak.
Por këto s’e kanë bërë Erdoganin të ndihet i sigurt. Për këtë arsye, ai ka ndërmarrë hapa të tjera. Ka krijuar një aleancë me Lëvizjen Nacionaliste, një parti e së djathtës ekstreme, dhe ka kërcënuar vlefshmërinë e zgjedhjeve duke kontrolluar qendrat e votimit, të cilave jo vetëm që shpesh u mungojnë vulat, por ndërrojnë vendndodhje herë pas here.
Erdogani nuk e ka gabim që është në ankth. Dy nga kandidatët që janë kundër tij, Muharrem Ince nga Partia Republikane, e qendrës së majtë, dhe Meral Akshener, një nacionaliste konservatore, po krijojnë entuziazëm mes popullit duke u kthyer në një kërcënim të vërtetë. Ata kanë premtuar të rikthejnë sistemin parlamentar me ndarje pushtetesh dhe të rivendosin marrëdhëniet me aleatët e Turqisë. Ince ka premtuar gjithashtu një gjyqësor më të pavarur, më shumë liri personale dhe ndalim të shpenzimeve të tepruara qeveritare.
Analistët thonë se Ince ka më shumë gjasa ta detyrojë Erdoganin të përballet kokë më kokë me të në një raund të dytë të zgjedhjeve, në korrik. Një bashkim i mundshëm i opozitës mund t’i jepte shumicën në parlament.
Kjo do të kërkonte një rezultat të mirë nga partia Kurde, lideri i të cilës e bën fushatën nga burgu, sepse Erdogani e arrestoi në bazë të akuzave të motivuara politikisht.
Erdogani pritet të bëjë ç’është e mundur për të qëndruar në pushtet, por kjo mund të fryjë popullin kundër dhe të dëmtojë më tej stabilitetin politik e ekonomik.
Opozita ka një mundësi këtë të diel, që duket më e madhe se një vit më parë. Sado që u përpoq Erdogani, nuk e mposhti dot konkurrencën politike. Flaka demokracisë nuk është fikur ende në një prej anëtarëve më strategjikë të NATO-s, dhe nuk është prekur ende nga batica botërore e populizmit.