
Nga Ardit Rada
Në një nga portalet afër Sali Berishës, që çuditërisht furnizohet i pari me lajme ekskluzive nga SPAK-u, doli dje një lajm vetëtimthi pas seancës në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Erion Veliajn, ku flitej për “prova të reja”. Aty thuhej se ai na qenkësh përgjuar nga telefoni i burgut (që s’ka njeri që nuk e di se përgjohet 24h/24h) duke dhënë porosi që të sulmoheshin në media prokurorët e çështjes së tij.
E në vrull e sipër, prokurorët e Veliajt nuk ishin përmbajtur, por kishin përmedur edhe disa emra të njohur gazetarësh, të cilët gjatë një muaji në izolim të kryebashkiakut, kanë zhvilluar intervista me të, e që më pas janë transmetuar live në televizion. Deri këtu nuk kemi asnjë provë të re..!
Pra, dje SPAK-u na tha, nëpërmjet portalit zyrtar të tyre (!?), se provat e reja kundër Veliajt na qenkëshin intervistat publike të këtij në media, apo ç’është edhe më skandalozja, statuset e tij publike në Facebook, të cilat mandej janë marrë nga të gjitha mediat në vend dhe janë botuar në portale e bërë kronika në TV.
Po të gjitha këto ne i dinim, se Veliaj nuk i ka fshehur ndonjëherë, që t’i përgjonte SPAKu në telefonin e burgut!
E nëse këto janë “provat e reja” me të cilat SPAK-u kërkon të mbajë të mbyllur në izolim një kryebashkiak të zgjedhur 3 herë rresht nga qytetarët e Tiranës, ndër më të votuarit në vend në çdo palë zgjedhje, me nga çerek milionë votash, atëherë ky është një tjetër skandal, i cili tregon shumë për reformën në drejtësi që është bërë në Shqipëri.
Më shumë se sa “prova të reja”, këto duken si një përpjekje e dëshpëruar e prokurorëve të Veliajt për të dalë nga një situatë ku e kanë futur veten, me gabime trashanike që në faqen e parë të dosjes hetimore, ku e cilësuan Veliajn “të dënuar”, për të cilën më pas u tërhoqën dhe deklaruan se ishte një lapsus.
Të gjendur në këto kushte, duket se këta prokurorë dje kanë shkuar edhe më tej në lunatizmin e tyre, duke përmendur emra gazetarësh të nderuar në një seancë gjyqi. Gazetarët kanë bërë vetëm detyrën dhe askush nuk ka të drejtë t’i nominojë me emër e mbiemër, qofshin këta prokurorë, në një seancë gjyqi ku s’kanë asnjë lidhje me çështjen.
Sepse këta gazetarë sot kanë gjithë të drejtën të ndihen të intimiduar.
E me sa duket prokurorët e Veliajt nuk qenkan më të interesuar për të zbardhur me urgjencë një çështje si kjo, ku mbajnë në burg pa akuzë një të zgjedhur nga populli, por në fakt, për çmendurinë e tyre, shqetësohen për lajme dhe editoriale si të ishin kryeredaktorë.
Atëherë ne të gjithë sot duhet të besojmë që Erion Veliaj është mbajtur një muaj në burg pa asnjë provë dhe është dashur që të mbyllej brenda që këtë muaj të siguroheshin “provat e reja”. Në këtë moment Gjykata e Posaçme e Apelit duhet të ngrihet në lartësinë e saj dhe të thotë se izolimi i kryebashkiakut është bërë pa një proces gjyqësor dhe pa prova e fakte që diktojnë vendosjen e masave të sigurimit personal.
Në fund, vijmë te një pyetje thelbësore: Pse SPAKu është trimëruar kaq shumë ndaj Erion Veliajt, duke e mbajtur në izolim për një muaj, e duke u kujdesur që ai të mos flasë as me familjarë e miq, e as të komunikojë me mediat, në një kohë kur pak javë më parë, Sali Berisha i është drejtuar me ofendime të rënda, kërcënime dhe akuza të paimagjinueshme SPAK-ut dhe kryeprokurorit Altin Dumani, deri aty sa e cilësoi edhe kryetar të organizatës kriminale, e Berishës nuk i hyri gjemb në këmbë?
Pse SPAKu nuk e konsideroi gjithë këtë sulm dhe intimidim që Berisha u bëri (dhe vijon t’ua bëjë) prokurorëve të SPAK, si prova të reja për të?
Kjo është një pyetje që kërkon përgjigje. Dhe mbi të gjitha, kërkon një sqarim publik nga “heronjtë e fëmijëve tanë”.
Komente