Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka postuar një reagim të avokatëve ndërkombëtarë në rrjetet sociale pasi Prokuroria e Posaçme e mori të pandehur.
Aty thuhet se Veliaj “i mohon në mënyrë të prerë të gjitha akuzat për shkelje të ligjit”.
Avokatët e tij ndërkombëtarë njëkohësisht janë të bindur se ndalimi i kryebashkiakut të Tiranës “është i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional”.
“Kemi shqetësime serioze se kërkesat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) nuk janë respektuar në rastin e tij. Fatkeqësisht, prej gati 3 muajsh, z. Veliaj është penguar të ketë akses te avokatët e tij ligjorë ndërkombëtarë, gjë që cenon seriozisht aftësinë e tij për të ushtruar të drejtat që i garanton KEDNJ-ja”, thuhet në reagimin e tyre.
Avokatët ndërkombëtarë të Erion Veliajt thonë në reagimin e tyre se SPAK nuk ka asnjë provë që të ketë vlerësuar domosdoshmërinë e vazhdimit të ndalimit të kryebashkiakut. Ata shprehin shqetësim edhe për rrjedhjen e hetimit në media.
Jemi thellësisht të shqetësuar për mënyrën se si është zhvilluar hetimi. Së fundmi, detaje në lidhje me përfundimin e hetimit dhe raportin e Prokurorisë janë rrjedhur në mediat shqiptare. Kjo rrjedhje informacioni është në përputhje me trajtimin që i është bërë z. Veliaj që prej ditës së arrestimit, ku të dhëna paragjykuese mbi hetimin e SPAK-ut janë publikuar vazhdimisht në hapësirën publike. Nga informacionet e marra prej avokatëve të tij vendas, kuptojmë se këto rrjedhje përbëjnë shkelje të sekretit hetimor sipas legjislacionit shqiptar”, thuhet në reagim.
Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion ka marrë zyrtarisht të pandehur kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Sot, 23 korrik, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit i kanë komunikuar katër akuza zyrtare, në ambientet e paraburgimit në Durrës.
Kryebashkiaku akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje e sendeve te palejuara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. E pandehur u mor edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Sipas gazetares Glidona Daci, në total për këtë dosje janë marrë të pandehur 30 persona dhe shoqëri fizike.
Komente