U nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë, Ismail Beka, një profesionit i vyer i zhvillimit të zonave malore, bujqësisë dhe turizmit dhe bashkëpunëtor i pakursyer i medias ndër vite, njofton Monitor.

Beka do të mbahet mend nga të gjithë ne për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për modestinë dhe përkushtimin që pati gjatë gjithë karrierës së tij. Për sa punoi në Korporatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) Beka u bë shpresa e zonave më të thella të vendit, aty ku jeta kishte ndalur, por e ardhmja premtonte shumë. Ai personalisht e nxiti turizmin malor në Malësinë e Madhe, në zonat e thella Alpeve, Thethit, Valbonës dhe në qarqet, Dibrës dhe Korçës, dhe jugut të vendit.

Në 20 vitet e fundit ai u bë mentor për qindra të rinj që vendosën të ofronin turizmin në fshatrat e braktisur. Turizmi malor dhe sidomos Thethi është i lidhur ngushtë me emrin e Bekës, të cilët do ta vajtojnë ikjen e tij të parakohshme nga kjo botë si të ishte një prej tyre.

Edhe pse profesionin e ushtroi në terren dhe nga ato më vështirat, Beka gjeti gjithmonë kohën për të qenë një bashkëpunëtor i shkëlqyer me mediat.

Ai ishte një bashkëpunëtor i Monitor që në fillimet në tona, duke sjellë ekspertizë kryesisht për çështjet e bujqësisë dhe turizmit me një këndvështrim të spikatur për modelet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Në 65 vitet e tij në këtë jetë, Beka kishte më shumë se 40 vite karrierë profesionale, pasi studimet e larta i përfundoi për inxhinieri industriale dhe më pas e ushtroi profesionin në segmente të ndryshëm të sektorit të bujqësisë e më vonë në Turizëm deri sa një vit më parë mbushi moshën për pension. Por ai vijoi të ishte aktiv në media dhe konsulenca deri në ditët e fundit të jetës së tij.

VERITAS.COM.AL