Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se shqiptari Baki Goxhaj, i cili u ndalua nga autoritetet izraelite, është tashmë rrugës për t’u kthyer në Shqipëri.
Përmes një postimi në rrjetet sociale,, Hoxha u shpreh se strukturat e Shërbimit të Jashtëm shqiptar kanë ndjekur rastin që nga momenti i parë i sinjalizimit, në koordinim me institucionet shqiptare dhe në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite.
“Shtetasi shqiptar, z. Baki Goxhaj, pjesëmarrës në flotiljen “Global Sumud”, është tashmë rrugës për në atdhe. Që në momentin e parë të sinjalizimit, strukturat e #Shërbimit të Jashtëm, në bashkërendim me institucionet e tjera shqiptare kanë ndjekur pa ndërprerje çështjen, në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite. Shqipëria ka qenë e qartë dhe konsistente në kërkesën e saj për respektimin e plotë të të drejtave të shtetasit shqiptar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe normat humanitare, duke reaguar kundër çdo forme trajtimi të papranueshëm.
Ky rast është një tjetër dëshmi e përkushtimit të përditshëm dhe e punës profesionale të Shërbimit të Jashtëm, përfshirë #përfaqësive tona #diplomatike dhe #konsullore, për t’u gjendur pranë qytetarëve shqiptarë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë institucional. Ky është misioni ynë: të përfaqësojmë e mbrojmë interesat e Republikës së Shqipërisë dhe ato kombëtare, të jemi pranë #qytetarëve shqiptarë, veçanërisht në momentet kur ata kanë më shumë nevojë për mbështetjen, kujdesin dhe angazhimin e shtetit të tyre”, shkruan ministri Ferit Hoxha.
Komente