Në konferencën e përjavshme për mediat, Presidenti Ilir Meta doli për të sqaruar ngjarjen e paprecedentë të së premtes së kaluar, kur u përlesh me policët në zyrat e Frymës se Re Demokratike.

Meta sqaroi se ai reagoi në atë mënyrë sepse policia bashkiake kishte mbyllur dyert dhe përveç tij nuk lanë të futej brenda stafin e tij. Për Presidentin gjithçka ndodhi atë ditë është tregues i sjelljes së paligjshme të mazhorancës, e cila po tenton të manipulojë zgjedhjet e 25 prillit.

Presidenti thotë se ka një plan për t’i mbrojtur zgjedhjet nga Rama. Sipas tij Rama do të bëjë gjithçka për të prishur 25 prillin dhe ka një thirrje për të gjithë shqiptarët që sipas tij duhet t’i thërrasin mendjes.

“Janë 2 institucione garante për zgjedhjet, Presidenti i Republikës dhe populli i Shqipërisë. Aty do kenë popullin të gjithë, pa dallim të majtë e të djathtë”, paralajmëroi Meta me tonë të larta gjatë konferencës për shtyp.

Kujtojmë se Presidenti Ilir Meta u përfshi në një rast të paprecedent, duke u përplasur me Policinë Bashkiake dhe pastaj duke hyrë me forcë në zyrat e FRD-së. Kjo sepse sipas Metës, kërkesa e Bashkisë që FRD-ja të lirojë zyrat është me prapavijë politike. Meta është përballur fizikisht me policët dhe zyrtarin e Bashkisë, madje edhe i ka kërcënuar ato duke i thënë që “të largohen ose do i çojë në burg me duart e tij”.

VERITAS.COM.AL