
Kjo e hënë shënoi tre vjetorin që nga fillimi i luftës ruse në Ukrainë, në atë që sot është kthyer në luftën më të ashpër të kontinentit tonë që prej Luftë së Dytë Botërore. Ishte pikërisht 24 shkurti i vitit 2022 kur Rusia nisi sulmin e paprovokuar ushtarak ndaj Ukrainës.
Mëngjesin e asaj të enjteje të tre viteve më parë trupat ushatake të Moskës të urdhëruara nga Vladimir Putin kaluan kufirin ndërsa raketat shënjestruan në mënyrë të pamëshirshme infrastrukturën civile dhe dhjetëra qytete e fshatra të Ukrainës. Mijëra viktima u rregjistruan vetëm në ditët e para të kësaj lufte, ku mes tyre civilë të pafajshëm si trupa ushtarak.
Sot, tri vite më pas Kombet e Bashkuara thonë se lufta në Ukrainë ka vrarë mbi 12 mijë civilë dhe ka plagosur mbi 29 mijë të tjerë. Ndër 12 mijë viktimat civile që kanë humbur jetën në Ukrainë si pasojë e luftës së nisur nga Rusia janë mbi 6200 burra dhe 669 fëmijë. Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se shifrat e ofruara prej tyre mund të jenë në realitet edhe më të larta. Lufta detyroi qytetarët ukrainas të braktisin atdheun dhe shtëpitë e tyre.
Mbi 6.9 milionë qytetarë të këtij shteti janë shpërndarë në vendet e Bashkimit Europian dhe vende të tjera të botës për të kërkuar azil ku mes tyre 1.2 milionë në Gjermani, mbi 1 milionë në Poloni dhe rreth 390 mijë të tjerë në Republikën Çeke. 3.7 milionë qytetarë ukrainas janë zhvendosur brenda vendit të tyre. Të paktën 1.2 milionë ukrainas Zgjodhën të shkonin refugjatë në Rusi. Kombet e Bashkuara thonë se lufta i ka tkurrur popullsinë Ukrainës me 1 të 4-ën e saj.
Disa zona të Ukrainës në këto tri vite luftë u përballën me krime çnjerëzore, krime të kryera këto nga Rusia që do të mbeten mend përgjithmonë në histori si plagët e kombit ukrainas.
Njëra prej tyre është masakra e Buças, e ndodhur në periferitë lindore të Kievit. Autoritetet ukrainase zbuluan trupat e pajete të të paktën 458 civilëve. Mediat ndërkombëtare raportuan asokohë se civilët u përdhunuan fillimisht e më pas u qëlluan me plumba pas koke. Në mesin e viktimave kishte edhe nga ata që ishin torturuar në bodrume. Qindra trupa u gjetën të varrosur në varre masive.
Edhe qyteti i Mariupolit konsiderohet si një ndër qytetet që është përballur me masakrat më të rënda gjatë këtyre tri viteve luftime. Ushtria ruse bombardoi në këtë qytet një teatër që ishte kthyer në një strehimore për rreth 600 civilë duke bërë kështu që të gjithë këta njerëz të pafajshëm të humbisnin jetën.
Kur presidenti rus Vladimir Putin filloi luftën e tij mbi Ukrainë në 24 shkurt, pas muajsh përgatitjeje në kufi, ai dërgoi atje mijëra ushtar elitë, më të mirët e forcave speciale. Por ushtria e tij nuk arriti të përparojë drejt Kievit, siç vetë Putin e kishte parashikuar dhe imagjinuar. Për javë të tëra trupat tokësore të ushtrisë ruse mbeten të bllokuara jo shumë larg kufirit lindor të Ukrainës, duke mos arritur të përparojnë drejt qendrës së saj.
Pritja dhe rezistenca që ushtria ukrainase u bëri trupave ruse ishte befasuese dhe përtej pritshmërisë së Kremlinit. Ushtria e Putin mbeti deri në rajonet Donbas, Kharkiv dhe përgjithësisht në brigjet e Detit të Zi.
Në tre vite luftë përveç humbjeve të mëdha sië janë qyteti Avdivka apo Bakhmut, ushtria ukrainase ka gëzuar edhe fitore të vogla. Disa prej tyre janë zmbrapsja e forcave ruse nga territoret e qyteteve Harkiv dhe Herson. Ndër të tjera në Gusht të vitit të shkuar Rusia përjetoi ndjesinë e pushtimit të një territori për herë të parë pasi ushtria ukrainase pushtoi rajonin Kursk, ku aktualisht mban kontrollin e rreth 500 kilometrave katrorë.
Ushtria ruse ka pushtuar aktualisht rreth 20% të territorit të Ukrainës. 9% e këtij territori u pushtua nga lufta e vitit 2014 dhe pjesa tretër prej 11% në luftën e nisur që prej 24 shkurtit të vitit 2022. E shprehur ndryshe Rusia ka pushtuar 120 mijë kilometra katrorë territor në Ukrainë, rreth 48 mijë kilometra katrorë territor u pushtuan në luftën e vitit 2014 përfshirë gadishullin e Krimesë, pjesë të rajonit të Luhankut dhe Donetskut. Mbi 70 mijë kilometra katrorë të tjerë terrior janë pushtuar nga lufta tre vjeçare e nisur në shkurt të vitit 2022.
Të dyja palët kanë humbur qindra mijëra ushtarë në Frontin e betejës. Presidenti Ukrainas Volodymir Zelensky deklaroi në 16 shkurt të këtij vitit se vendi i tij ka humbur 46 mijë ushtarë në këtë luftë tre vjeçare ndërsa shtoi se 390 mijë ushtarë Ukrainas kanë mbetur të plagosur në front. Inteligjenca Perëndimore dhe ajo amerikane vlerëson se këto shifra janë shumë më të larta. Rusia nuk ka dhënë asnjë detaj mbi numrin e ushtarëve që ka humbur nga lufta në Ukrainë, por sipas asaj që thotë Kievi, lufta i ka shkaktuar Moskës humbjen e mbi 866 mijë ushtarëve pa specifikuar saktësisht se sa kanë mbetur të vrarë apo të plagosur. Nga ana tjetër një vlerësim i Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara në vitin 2023 tregoi se 120 mijë ushtarë rus ishin vrarë në front dhe 180 mijë të tjerë ishin të plagosur. Në shifrat e përditësuara nga ëashingtoni në tetor të vitit 2024 ëashingtoni vlerësoi se Rusia kishte humbur rreth 600 mijë ushtarë në luftën në Ukrainë por pa specifikuar saktësisht se sa prej tyre ishin vrarë dhe se sa prej tyre ishin plagosur.
Në luftën e saj tri vjeçare Ukraina është mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar duke përfshirë këtu Perëndimin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe vende të tjera në mbarë botën. Mbështetësi kryesor i luftës që Kievi po bën për liri mbetet ëashingtoni me më shumë se 106 miliardë dollarë fonde që kanë shkaur drejtpërdrejt në Ukrainë, e thënë ndryshe SHBA ka dhënë 47% të fondeve për të mbështetur Ukrainën në këtë konflikt . Pas Shteteve të Bashkuara vjen Bashkimi Europian me 32% ku vendi që kryeson brenda Unionit 27 anëtarësh është Gjermania. Në këto tri vite sfiduese të luftës në Ukrainë gjërat nuk kanë qenë të lehta për Europën dhe NATO-n të cilat pësuan nga kjo luftë një thirrje zgjimi për të shtuar prodhimin e municioneve dhe armatimeve të ndryshme.
Nga ana tjetër jo pak herë presidenti Ukrainas Volodymir Zelensky është ankuar për më shumë ndihmë nga Perëndimi dhe SHBA apo për mbërritjen në kohë të armatimeve në vendin e tij. Në përvjetorin e tretë të luftës Rusi- Ukrainë askush nuk di ti përgjigjet pyetjes se kur do ti vijë fundi konfliktit në Europën Lindore. Madje as vetë Presidenti Amerikan Donald Trump, njeriu i cili u zotua se ti jepte fund kësaj lufte në ditën e tij të parë në detyrë.
Komente