Bordi i Transparencës ka zhvilluar këtë të premte, më 5 qershor, mbledhjen e radhës, ku ka vendosur çmimet e reja tavan për tregtimin e karburanteve në vend.

Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i naftës do të jetë jo më shumë se 192 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë nuk duhet të kalojë 180 lekë për litër.

Ndërkohë, për benzinën, Bordi ka përcaktuar që çmimi maksimal i shitjes me pakicë të jetë 172 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë 160 lekë për litër.

Autoritetet bëjnë me dije se çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 5 qershor, në orën 13:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, ku do të reflektohen çdo ndryshim i mundshëm i çmimeve në treg.

Bordi u ka tërhequr vëmendjen të gjithë operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara, ndaj subjekteve do të merren masa, deri në pezullimin e aktivitetit.

Në njoftim theksohet se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, mbeten të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *