Bordi i Transparencës ka zhvilluar këtë të shtunë, më 23 maj 2026, mbledhjen e radhës, ku janë vendosur çmimet e reja për shitjen me pakicë dhe shumicë të karburanteve në vend.

Sipas vendimit të bordit, çmimi i shitjes me pakicë i naftës do të jetë jo më shumë se 195 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë do të jetë jo më shumë se 183 lekë për litër.

Ndërkohë, për benzinën, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është caktuar 182 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë 170 lekë për litër.

Autoritetet bëjnë me dije se çmimet e reja hynë në fuqi sot, më 23 maj 2026, në orën 13:20 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut.

Bordi ka tërhequr vëmendjen e operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi. Sipas njoftimit, në rast të shkeljeve të konstatuara nga subjektet tregtare, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklarojnë se mbeten të angazhuara në mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *