
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pritet të përballet të enjten me një mocion mosbesimi në Parlamentin Europian, një zhvillim i rrallë që ka nxjerrë në pah pakënaqësitë në rritje mes eurodeputetëve të qendrës, të majtës dhe të gjelbërve lidhur me zhvendosjen e politikave të BE-së drejt së djathtës.
Edhe pse pritet që von der Leyen të mbijetojë pa vështirësi në votim, i cili në teori mund të çojë në rrëzimin e të gjithë Komisionit debati rreth mocionit ka thelluar ndarjet brenda forcave që e votuan atë për një mandat të dytë vetëm një vit më parë, pas zgjedhjeve që i dhanë nacionalistëve të djathtë rezultatin më të mirë ndonjëherë në nivel europian.
Mocioni i mosbesimit është paraqitur nga eurodeputeti rumun Gheorghe Piperea, përfaqësues i ekstremit të djathtë dhe kundërshtar i vaksinimit. Në fokus të mocionit është refuzimi i von der Leyen për të publikuar mesazhet telefonike me drejtuesin e Pfizer gjatë kulmit të pandemisë së COVID-19 një refuzim që është dënuar nga Gjykata Europiane dhe është cilësuar si “keqadministrim” nga një organ i pavarur mbikëqyrës.
Mocioni përfshin gjithashtu kritika ndaj fondeve të rimëkëmbjes pas pandemisë dhe legjitimitetit ligjor të një fondi mbrojtjeje prej 150 miliardë eurosh, si dhe akuza të paprovuara për ndërhyrje në zgjedhjet e fundit në Gjermani dhe Rumani.
Piperea arriti të sigurojë mbështetjen e 76 eurodeputetëve të ekstremit të djathtë dhe nacionalistëve të linjës së tij, duke kaluar pragun 10% që kërkohet për ta futur mocionin në rendin e ditës.
Në një fjalim sfidues të hënën në Parlamentin Europian, von der Leyen e quajti mocionin “shpifje për ndërhyrje në zgjedhje” dhe përpjekje për të “rishkruar historinë” lidhur me mënyrën se si Europa përballoi pandeminë. Ajo e cilësoi këtë mocion si pjesë e një “epoke përballjeje mes demokracisë dhe iliberalizmit”, duke kritikuar forcat ekstremiste që mbështeten në teori konspirative, nga kundërshtarët e vaksinimit deri tek ata që justifikojnë Vladimir Putinin.
Megjithatë, zyrtarët e saj janë të shqetësuar për mundësinë e një numri të lartë abstenimesh apo mungesash nga grupet kryesore politike, çka mund të dëmtojë pozitën e saj politike. Ekspertja politike Sophia Russack nga Qendra për Studime të Politikave Europiane tha se një numër i madh abstenimesh do të ishte një sinjal i qartë pakënaqësie ndaj mënyrës së drejtimit të saj: “Ajo do ta kalojë këtë provë, por është e qartë që kjo nuk ka të bëjë më me Pfizer është një luftë për pushtet nën sipërfaqe.”
Von der Leyen u rizgjodh për një mandat të dytë pas zgjedhjeve europiane të vitit 2024, me mbështetjen e forcave kryesore politike: Partisë Popullore Europiane (PPE), Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), liberalëve të grupit Renew dhe të Gjelbërve. Megjithatë, këto grupe humbën terren përballë forcave nacionaliste të djathta, që shënuan rritje të ndjeshme.
Grupi PPE, ku bën pjesë von der Leyen, ka shprehur mbështetje të fortë për të. “Do të votojmë unanimisht kundër këtij mocioni të enjten,” deklaroi Manfred Weber, kreu i grupit.
Socialistët dhe Demokratët gjithashtu kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin mocionin, megjithatë nuk është e qartë sa deputetë mund të abstenojnë. Kryetarja e grupit S&D, Iratxe García Pérez, e quajti mocionin “një sulm reaksionar ndaj politikës europiane”, por njëkohësisht kritikoi strategjinë e PPE-së për bashkëpunimin me të djathtën ekstreme në çështje si bllokimi i një organi etike të BE-së apo shtyrja e legjislacionit ambiental.
Edhe grupi centrist Renew pritet të ketë disa abstenime. Eurodeputeti irlandez Barry Andrews (Fianna Fáil) ka njoftuar se do të abstenojë, duke akuzuar Komisionin për mosveprim ndaj agresionit izraelit në Gaza.
Kjo përballje politike vjen në një kohë të ndjeshme, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndodhet në Uashington, ku u prit me nderime në Pentagon
Komente