Frrok Çupi/

Nëse në Shqipëri do të anuloheshin zgjedhjet e 30 qershorit, kjo do të ishte e pavërteta dhe e pamundura më e madhe në botë. Nuk ka asnjë mundësi! Jo pse vendi ynë është një vend i vogël dhe se mijëra njerëz të pavlerë thonë se ‘ky vend nuk bëhet’!

Por edhe vendi më i madh sikur të ishte, prapë këtë fuqi nuk do ta kishte: Që të fshijë votimet!

Shqipëria dhe fuqia e saj politike kanë mundësi të tjera më mijëra, shumë të mëdha, por jo që të anulojnë votimet e datës 30. Shqipëria ka mundësi që ta mbushë tokën me mullinj me erë që nga Jugu në Veri. Ka mundësi t’i orientojë investimet kryesore o në bujqësi o në arsim…, ose edhe për kampe me ski; por jo që të anulojë zgjedhjet. Ka mundësi që të gjitha majë- malet t’i shpallë lokacione ku hidhen parashuta që nga mëngjesi në mbrëmje…

Por nuk ka mundësi që të anulojë zgjedhjet e datës 30 qershor.

Askush në këtë vend nuk mund ta ketë këtë fuqi.

Veçse po të ndërrohet ky planet me një planet tjetër dhe të fshihet kujtesa e njeriut…. Por edhe kjo është po kaq e pamundur.

Këta që po hedhin bomba kundër zgjedhjeve të 30 qershorit, po ia kërkojnë me kërcënim kryeministrit të vendit: ‘Anulo 30 qershorin!’. As vetë Edi Rama nuk mund t’i anulojë zgjedhjet e 30 qershorit. Vetëm sikur të kishim në krye një grup njerëz të shpallur botërisht ‘të çmendur’ mund ta bënin anulimin; por edhe kjo do të zgjaste veç 5 minuta… Edhe një njeri, në protokoll, i numrit ‘Një’ të shtetit po kërcënon: ‘Anulo zgjedhjet’, por zëri i tij bëhet për të qeshur…

Kjo është si një magji: Zgjedhjet, edhe po deshe, nuk anulohen, madje edhe zërin ta bëjnë si të maces. Sepse kështu është ndërtuar demokracia, prej të paktën 24 shekujsh. Kjo botë ka një thelb ku ruhet ‘sekreti’ i demokracisë…

Se ndryshe, po të lejohej anulimi i zgjedhjeve qoftë edhe në Shqipëri, atëherë botën e merr lumi; kaosi mbulon planetin, vlera e qytetërimeve e krijuar në mijëra shekuj- shembet përdhè, sistemi politik që ka zgjedhur njerëzimi i përparuar- shkërmoqet menjëherë në gjithë globin.

Nëse do të praktikohej dëshira e çmendur e disa krerëve të PD-LSI se ‘meqë kërcënoj unë, anulo zgjedhjet!’, atëherë këta nuk do të ishin të vetmit garipë në botë; bota ka miliona ‘të fortë’ që po presin të shkatërrohet sistemi. Aq më tepër, nëse të gjithë bandat dhe zyrtarët e korruptuar dhe të zhytur në krime kundër popujve të tyre, do të viheshin në krye të kombeve dhe do t’i sundonin përjetë- siç po tentohet këtu- atëherë do të kishim rrjedha tragjike në gjithë botën. Këtu ndodhi vetëm një gjë e thjeshtë pa u ngritën kundër zgjedhjeve: Ndoshi që po ngrihet sistemi i Drejtësisë për të gjykuar krimet!

Të mbyten zgjedhjet dhe popujt vetëm pse kriminalët do të shkojnë para drejtësisë? Nuk mund të ndodhë!..

Atëherë edhe fuqitë e mëdha, Shtetet e bashkuara dhe Bashkimi Evropian,  që njeriu i varfër i ‘lavdëron te zoti’ pse ekzistojnë, nuk do të mund ta mbanin digën e të keqes që do të mbulonte botën…

Këta që thonë se ‘nuk lejojmë zgjedhje’, këta nuk e kanë me zgjedhjet këtu; këta provokojnë oqeanin e botës së mirë.

VERITAS.COM.AL/