Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar zyrtarisht SPAK dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me një kërkesë për të lejuar zhvillimin e një takimi zyrtar me përfaqësuesit e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, gjatë vizitës së tyre në Shqipëri nga datat 17-19 nëntor 2025. Monitoruesit e KE do të vijnë me një mision në Tiranë pikërisht për t’u njohur me situatën e Veliajt.
Në kërkesën e tij, Veliaj thekson se vizita e delegacionit zhvillohet në kuadër të misionit të monitorimit të Kongresit për respektimin e parimeve të demokracisë vendore dhe qeverisjes së mirë në vendet anëtare të Këshillit të Europës.
Ai kërkon që përfaqësuesve të Kongresit t’u mundësohet takimi me të në ambientet e IVEP Durrës, ku aktualisht ndodhet, për të garantuar transparencë dhe informim të drejtë mbi situatën e tij ligjore dhe institucionale.
Sipas Veliajt, ky takim do të shërbejë për të sqaruar respektimin e të drejtave të tij si i ndaluar dhe si funksionar publik, në përputhje me nenet 6 dhe 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që garantojnë të drejtën për komunikim dhe përfaqësim.
“Qëllimi i këtij takimi është të sigurojë transparencë, komunikim të drejtpërdrejtë dhe informim të saktë mbi situatën time ligjore, statusin tim institucional si Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe respektimin e të drejtave të mia si i ndaluar. Në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht nenet 6 dhe 8 që garantojnë të drejtën për komunikim dhe përfaqësim, ju lutem të miratoni këtë kërkesë dhe të siguroni kushtet për zhvillimin e takimit gjatë periudhës së vizitës së përmendur”, thekson Veliaj në kërkesën drejtuar SPAK dhe DPB.
Komente