Kryetari i Bashkisë Tiranë ka reaguar përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, pas veprimeve që kryen prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ndaj tij dhe familjarëve të tij.
Sipas Veliajt, SPAK nuk kishte vendim gjykate për t’u futur në banesën e tij. “Në mëngjesin e 6 Dhjetorit bashkëshortja ime, e gjendur në shtëpi vetëm me djalin tonë, më telefonon pasi grupi i prokurorisë së posaçme kishte trokitur në derën e apartamentit tonë. Natyrisht, ndamë pa asnjë ngurrim bindjen se duhet të ishim plotësisht transparentë me trokitësit tanë”, shkruan Veliaj. “Pavarësisht se pa një vendim gjykate për të hyrë në shtëpi dhe plus një situate të pakëndshme për gjithë lagjen ku jetojmë prej 12 vjetësh, në një pallat të ndërtuar 15+ vjet më parë (poshtë të cilit ishin mbledhur me lajmërim, nga kushedi se kush, altoparlantët mediatikë, që ishin vendosur si dikur te radha e qumështit përpara se të arrinte vetë grupi hetimor), bashkëshortja ime është treguar plotësisht bashkëpunuese dhe transparente me grupin hetimor, për çdo kërkesë të tyre, madje i ka shoqëruar vetë, qoftë në zyrën e saj, qoftë në shtëpinë e prindërve”.
Duke sulmuar kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilin e quan “hiena e fundit komuniste në Europë”, Veliaj përsëriti termin “koleg” për prokurorët e SPAK, të cilin e përdori fillimisht pas daljes nga godina e Prokurorisë së Posaçme ku ishte thërritur.
“Ky është dalllimi ynë: Ne i trajtojmë institucionet e drejtësisë si kolegë dhe shtetarë, opozita i konsideron banditë dhe tradhtarë. Ky është edhe dallimi i madh fare, që mua më bën të ndjehem shumë mirë përpara atyre që më kanë besuar dhe më kanë mbështetur në tërë këto vite, që nga Edi Rama i pari, te shokët e forumeve të partisë, dhe qytetarët e Tiranës, që sot jetojnë në një qytet europian, në një metropol nga më të rëndësishmit e rajonit. Për mua SPAK-u është institucion kushtetues i vendit tim dhe unë jam totalisht në dispozicion të hetimit, i bindur se, në fund, e vërteta do të triumfojë. Jam po aq i bindur në të drejtën time dhe shpresëplotë në profesionalizmin dhe pavarësinë e këtij institucioni kushtetues/ (A2 Televizion)
Komente