Vendet anëtare të BE-së janë pajtuar më në fund që të merret vendimi për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndonëse ende mbetet e paqartë se në cilën formë do të zyrtarizohet ky vendim pasi kriza e shkaktuar nga koronavirusi ka pamundësuar edhe punën normale të institucioneve të BE-së.

Në dy takimet e fundit ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, në përgatitje të takimit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme që zhvillohet javën që vjen, kanë rënë dakord për versionin e fundit të tekstit të vendimit për hapjen e negociatave të përgatitura nga Presidenca Kroate e BE-së, raporton KOHA.

Sipas këtij teksti, vendimi do të merret në takimin e Ministrave të BE-së, takim i cili do të zhvillohet përmes video-konferencës, ndërsa më vonë ai duhet të marrë pëlqimin edhe të shefave të shteteve apo qeverive në Këshillin Evropian. Kështu, edhe nëse kalon procedurën në Këshillin e BE-së, pra në nivel ministrash, ky vendim nuk do të formalizohet shpejt pasi BE-ja tashmë ka vendosur ta shtyjë për më vonë takimin e Këshillit Evropian të paraparë për këtë javë.

 Në tekstin e përgatitur thuhet se “Në dritën e progresit të arritur në reforma dhe përmbushjen e kushteve të caktuara në mënyrë unanime nga Këshilli në qershor të vitit 2018, Këshilli, me kusht të dhënies së pëlqimit nga Këshilli Evropian, vendos të hapë negociatat e anëtarësimit me Republikën e Shqipërisë”…
VERITAS.COM.AL