Komisioni i Venecias nuk ndryshon qëndrim sa i takon ligjshmërisë së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Në opinionin final, të cilin e disponon A2 CNN, nënvizohet se Gjykata Kushtetuese nuk është përgjegjëse për të gjykuar ligjshmërinë e zgjedhjeve vendore.
“Komisioni i Venecias është i mendimit se këshilltarët dhe kryetarët e bashkive janë “funksionarë të organeve të parashikuara në Kushtetutë” në kuptimin e nenit 131 (1) e) të Kushtetutës. Megjithatë, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore”.
Arsyeja e këtij konflikti ligjor në dyert e Kushtetueses ishte bojkoti i opozitës, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje. Për Venecian, kjo s’është shkak për t’i konsideruar antikushtetuese.
“Partitë politike janë shoqata private që përfaqësojnë pikëpamjet e anëtarëve të tyre, pa detyrimin për të përfaqësuar një pjesë të shoqërisë dhe pa detyrimin për të marrë pjesë në zgjedhje, pavarësisht se kjo mund të jetë një nga objektivat e tyre kryesore. Bojkotimi mund të jetë një mjet i veprimtarisë politike”.
Gjuha e ekspertëve ndërkombëtarë është zbutur sa i takon Presidentit të Republikës, duke e konsideruar dekretin e tij për shtyrjen e zgjedhjeve nga antikushtetues në tejkalim të kompetencave.
“Sidoqoftë, një shtyrje e tillë e zgjedhjeve lokale të vitit 2019 nuk kishte një bazë ligjore pasi nuk kishte një fuqi të tillë për Presidentin. Prandaj, Komisioni i Venecias konstatoi se Presidenti i Republikës së Shqipërisë kishte tejkaluar kompetencat e tij sipas Kushtetutës duke shtyrë zgjedhjet vendore të vitit 2019”.
Mesa duket, juristët ndërkombëtarë mund të kenë nuhatur mundësinë e shqyrtimit të një tjetër kërkese nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e cila tashmë ka kaluar për shqyrtim vendimin e parlamenti për shkarkimin e presidentit.