Gjykata e Apelit e Parisit urdhëroi lirimin e Nicolas Sarkozy të hënën pasdite, pas përfundimit të seancës dëgjimore të ish-presidentit të Republikës Franceze.
Sarkozy, i cili gjatë seancës dëgjimore i përshkroi 20 ditët që kaloi në burg, që nga 21 tetori, si një “makth”, do të jetë nën mbikëqyrje gjyqësore.
Përveç kësaj, gjykata ia ka ndaluar Sarkozisë që të ketë kontakt me ministrin e Drejtësisë Gérald Darmanin, i cili e kishte vizituar në burg në fund të tetorit, një takim që kishte provokuar kritika, kryesisht nga gjyqtarët.
Sipas informacioneve, Sarkozi do të largohet nga burgu Santé në qendër të kryeqytetit francez më vonë gjatë ditës.
Sipas arsyetimit të prokurorit, Damien Brinet, “serioziteti ekstrem i ngjarjeve dhe ashpërsia e dënimit nuk duhet të merren parasysh”. “Vetëm kriteret e nenit 144 të Kodit të Procedurës Penale janë të rëndësishme”, ka arsyetuar ai.
Brinet shpjegoi se rreziqet e bashkëpunimit me bashkëpunëtorë të mundshëm ose të ushtrimit të presionit mbi dëshmitarët “mbështesin kërkesën për ta vendosur Sarkozi nën mbikëqyrje gjyqësore”.
Sarkozy u burgos më 21 tetor pasi një gjykatë e shpalli fajtor për konspiracion kriminal, për shkak të përpjekjeve të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë për të siguruar financim për kandidaturën e tij presidenciale të vitit 2007 nga udhëheqësi i atëhershëm libian Muammar Gaddafi.
Komente