Ajo që ndodhi në Maqedoni, duket se po kthehet në një trend për rrëzimin e qeverive të inkriminuara në Ballkan. Zoran Zaev, shefi i opozitës maqedonase për një vit rresht publikoi në një televizion shqiptar përgjimet e zyrtarëve të inkriminuar maqedonas duke përfshirë edhe kryeministrin Gruevski. Kjo pasi TV-të maqedonase kontrolloheshin nga qeveria dhe dera e hapur për opozitën ngeli vetëm “Alsat Maqedonia”. Pa këtyre publikimeve dhe provave deri në përfshirje vrasjesh gazetarësh në Shkup, një protestë e madhe e opozitës detyroi Gruevskin të pranojë zgjedhjet e parakohshme.
Në Shqipëri, një video-skandal e siguruar nga një gazetar afër opozitës pasi filloi të transmetohej në “Neës 24”, u ndërpre pas një presioni të fortë të qeverisë sipas gazetarit që kishte bërë intervisten. Më pas kjo intervistë me një akuzë “bombë” u transmetua në rrjetet sociale duke detyruar mediat ta japin.
Dy video të tjera janë njoftuar sonte nga drejtuesi i emisionit “Opinion”, video të siguruara nga opozita. Po kësaj jave, opozita ka deklaruar se posedojnë një regjistrim nga vendet partnere ndërmjet një trafikanti dhe ministrit të Brendshëm.
Zëra pranë kreut të opozitës bëjnë me dije se shefi i opozitës është shndërruar në një pikë-grumbullimi e video-skandaleve të mazhorancës aktuale. Video që vetë opozita nuk ka asnjë mundësi ti sigurojë pa “Partnerët” që veprojnë në Tiranë.
A ka një strategji për të rrëzuar qeveritë dhe politikanët e Ballkanit nga ndërkombëtarët, me ndihmën e këtyre videove denoncuese duke parë se institucionet e akuzës janë inekzistente në këtë rajon?