Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit ka deklaruar se Shqipëria është vendi me inflacionin më të ulët në rajon dhe arsyeja kryesore për këtë, sipas tij, është se Qeveria e rimburson energjinë elektrike ende, pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme të krizave.

Në shifrat zyrtare të paraqitura nga kreu i Qeverisë, bie në sy fakti se Shqipëria, inflacionin e ka thuajse sa gjysma e kuotës së vendeve të tjera të rajonit, për muajt prill dhe maj.

Më herët, gjatë seancës, ishte deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila kritikoi punën e kabinetit qeveritar, duke argumentuar se shqiptarët po përballen me çmime jo reale dhe kjo po rëndon në xhepat e gjithsecilit.

“Kemi një inflacion të lartë, por kemi një rritje ekonomike të ulët. Edhe dje raporti i fundit të BB tha të njëjtën gjë. Çmimet janë rritur… Mjalti, ëmbëlsirat janë luks për qytetarët, qershia mbi tortë është çmimi i karburanteve”, deklaroi Tabaku nga foltorja.

Nga ana tjetër, Rama u përgjigj se është e vërtetë që ka një rritje të përgjithshme të çmimeve, për shkak të situatës së krijuar nga lufta në Ukrainë. Mbi të gjitha, kjo e fundit, për karburantin.

Mirëpo, duke krahasuar muaj pas muaji, ka edhe ndryshore rënëse të çmimeve gjatë muajve të fundit.

Në shifra konkrete, sipas kryeministrit, inflacioni për muajin prill në Shqipëri ka arritur në 6.2%. Në Serbi është në 9.6%, Maqedoninë e Veriut 10.6% dhe Kosovë, 11.2%.

Për muajin maj, ndërkohë, inflacioni në Shqipëri ka shënuar sërish rritje, duke shkuar në 6.7%.

“E përsëris, në fund të ditës, në tabelën e inflacionit në gjithë rajonit, Shqipëria është me rritjen më të ulët të tijin”, vijoi Rama, duke sqaruar edhe se çmimi i karburantit, për shkak se përfshin edhe taksën e qarkullimit në të, ka çmime më të larta se në rajon.

Por, taksimi në këtë mënyrë është i drejtë, sipas tij, pasi ata që qarkullojnë më shumë, duhet të paguajnë më shumë.

Energjia elektrike, ndërkaq, rimbursohet për familjarët dhe biznesin e vogël.