Ekonomia shqiptare ka përjetuar momente me rëndësi përgjatë vitit 2023. Një ndër to është dalja e vendit nga lista gri e pastrimit të parave. Kjo është një arritje për Shqipërinë në drejtim të rritjes së besueshmërisë dhe tërheqjes së investitorëve të huaj.
Shqipëria tashmë është pjesë e planit të rritjes prej 6 miliardë eurosh i akorduar nga Bashkimi Europian për Ballkanin Perëndimor. Sipas planit, nga kjo shumë deri në 2 miliardë euro do të jepen si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale.
Pavarësisht këtyre, ecuria e ekonomisë ka mbetur në territor pozitiv me pritshmëri që viti 2023të mbyllet me një rritje prej 3.7% e mbështetur fort jo veç nga ndërtimit e pasuritë e paluajtshme, por edhe nga turizmi që këtë vit rrëmbeu vëmendjen e mediave më prestigjioze ndërkombëtare si një nga perlat e Mesdheut.
Ai është kthyer në një shtyllë të rëndësishme që po mbështet ekonominë. Vetëm gjatë periudhës janar –shtator turistët e huaj kanë sjellë në ekonominë shqiptare 3.2 miliardë euro.2023 rezultoi viti i turizmit me shifra rekord duke tejkaluar shifren 10 milionë turistë.
Ekonomia shqiptare duket se ka treguar elasticitet duke u bërë ballë shumë goditjeve veçanërisht tërmetit të 2019-ës, pandemisë së covid sa sfidë shëndetësore aq edhe ekonomike, por edhe krizës së çmimeve prej agresionit rus në Ukrainë. Ndërkohë, duket se tashmë vendi ka tejkaluar edhe krizën e çmimeve pasi inflacioni zbriti në tetor në 3.9% në nëntor , norma më e ulët që prej shkurtit të vitit 2022.Kjo dëshmon efektivitetin e politikave fiskale dhe monetare të ndërmarra nga autoritetet. Banka e Shqipërisë rriti dy herë normën bazë të interesit duke e çuar atë në 3.25%.
Viti 2023 është shoqëruar nga luhatje të forta të kursit të këmbimit. Si asnjëherë më parë euro u barazua me lekun.Banka e Shqipërisë e konsideroi këtë luhatje pozitive pasi leku i fortë ndikon direkt në stabilizimin e çmimeve në vend.Por përtej kësaj Banka Qendrore ndërhyri në treg duke tërhequr më shumë euro për efekt të rezerves valutore.Gjatë 2023 u terhoqen rreth 300 milion euro ndërsa kalendari parashikon që kjo ndërhyrje të jetë më e madhe vitin e ardhshëm.
E ndërsa buxheti për vitin 2024 rezulton të jetë më i madhi prej 7 miliardë euro, ku prioritet do të jetë rritja e pagave, indeksimi i pensioneve si dhe vazhdimësia e projekteve kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit.
E zotuar të vijoje konsolidimin fiskal e te ulë borxhin publik duket se qeveria ia ka dalë pasi ky tregues ka ndjekur trajektore rënëse dhe pritshmëritë janë që të zbresë nën 60% në vitin 2024, duke shënuar edhe nivelin më të ulët që prej vitit 2011.
Sektori energjitik në vend ka pasur një ecuri të kënaqshmë gjatë vitit 2023. Prodhimi i energjisë ka arritur në nivele rekord ,janë ulur humbjet dhe janë rritur arkëtimet.Vlen të theksohet fakti se një sërë projektesh të rëndësishme janë planifikuar dhe kanë nisur të zbatohen në energjitikë si interkonjeksioni Shqipëri-Maqedoni e Veriut.
Një ngjarje me impakt për ekonominë shqiptarë gjatë këtij viti ka qenë edhe zhvillimi i censit të popullsisë e banesave që u zhvilloua gjatë muajit tetor.Të dhënat paraprake pritet të publikohen në pranverën e vitit të ardhshëm.
Sfidat ekonomiko-financiare mbeten prezente edhe për vitin e ardhshëm. Kriza e çmimeve si pasojë e konflikteve të armatosura vijon të kërcënojë ekonominë shqiptare. Por pavarësisht kësaj vlerësimet janë që inflacioni do të kthehet në objektiv vitin e ardhshëm. Po ashtu ecuria ekonomike pritet të jetë më e lartë se ky vit duke arritur në 3.8% dhe duke vijuar përmirësimin afatgjatë.