VATIKAN- Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Vatikan, ku të enjten u takua me Papa Leonin XIV. Në këtë takim, Rama u shoqërua nga bashkëshortja e tij Linda Rama dhe djali Zaho.

Me anë të një video, Rama ndau momente nga takimi përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Mirëmëngjes dhe me disa çaste të bukura nga takimi me Papa Leonin XIV, ju uroj një ditë të mbarë.”

Takimi u mbajt në Pallatin Apostolik të Vatikanit, ndërsa bisedimet zyrtare vijuan në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë. Fokus i diskutimeve ishte situata në Ballkan dhe procesi i integrimit evropian të Shqipërisë.

Gjatë takimeve me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, dhe sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, u vlerësuan marrëdhëniet e mira mes Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë, si dhe u trajtuan çështje me interes të përbashkët që lidhen me bashkëjetesën mes komunitetit kishtar dhe atij civil.

Gjatë qëndrimit në Vatikan, Rama  u prit në oborrin “San Damaso” të Pallatit Apostolik nga Prefekti i Shtëpisë Papnore. Ndërkohë, të mërkurën, Kryeministri përcolli një lutje për popullin shqiptar në bazilikën “Regina di Albania”, ku ndodhet shëmbëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë.

“O Mari, Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë atdheut! Sot po vijmë tek ti, edhe një herë, të ta besojmë popullin tonë, familjet tona, rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e bekuar. Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj të jemi gjithmonë besnikë ndaj Birit tënd, Jezusit. O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne”,  thuhej në lutjen e kryeministrit.

Vizita përfshiu gjithashtu ndalesa në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe në ambientet e “Stanza delle Lacrime”, ndërsa në përfundim Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij vizituan vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *