Në Nju Jork sot zhvillohet ceremonia e varrimit të ish Kryetarit të organizatës Vatra Agim Karagjozi, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë në moshën 92 vjeçare. Zoti Karagjozi ka qenë kryetar i Vatrës në vitet 1992 – 2010. Agim Karagjozi do të mbahet mend për shpirtin atdhedashës, që shërbeu si frymëzim për anëtarët e Vatrës dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Ai dha një ndihmë të dorës së parë për ruajtjen e vazhdimësisë së Vatrës dhe organizoi punën që gazeta e saj “Dielli” të dilte pa ndërprerje, me gjithë vështirësitë financiare. Në pranverë të vitit 1999, zoti Karagjozi ishte në krye të një përfaqësie shqiptaro-amerikane që u takua me Presidentin Bill Clinton për të inkurajuar administratën të ndërhynte për të penguar shtypjen e përgjakshme ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Në intervistat që i ka dhënë Zërit të Amerikës, zoti Karagjozi ka shprehur dëshirën që Shqipëria të njihte përparim në rrugën e re të demokracisë dhe inkurajonte shqiptarët e Amerikës që të ndihmonin me të gjitha mjetet atdheun që po rilindte.

Agim Karagjozi do të mbahet mend si njeriu i përkushtuar, që luftoi deri në fund për të bërë detyrën ndaj atdheut, edhe në rrethanat më të vështira.

Veritas.com.al/