Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në një intervistë për Albanian Post, thotë se kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë janë më se të vetëdijshëm për masat ndëshkuese nëse nuk pajtohen ta nënshkruajnë “Marrëveshjen Bazë” për normalizimin e raporteve.

Izolim të plotë ndërkombëtar dhe përkeqësim të raporteve me botën përëndimore – kjo do të jetë rruga që do ta ndjekin Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç nuk tregohen konstruktivë në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, thotë von Cramon.

Eurodeputetja gjermane nga radhët e të Gjelbërve, thotë gjithashtu se dy liderët ballkanikë duhet ta shfrytëzojnë mbështetjen e madhe politike – njëri me mbi 50 përqind ndërsa tjetri me mbi 60 përqind të votës popullore – në mënyrë që ta “shesin” kompromisin, sado i dhimbshëm që mund të jetë.

Sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe frikës jo për atë që sot paraqet legalisht ky mekanizëm, por për faktin se çfarë ai mund të paraqesë nesër, gjatë implementimit praktik, ajo thotë se në Kosovë nuk do të zbatohet modeli i Republikës Srpska në Bosnje-Hercegovinë.

Von Cramon në këtë intervistë ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, për të cilin nënvizoi se kjo çështje që për kaq shumë kohë shkaktoi nervozizëm te kosovarët, do të hiqet nga tryeza në fillim të vitit të ardhshëm dhe nuk do të ketë më kushte dhe teknikalitete tjera burokratike për të përmbushur.

Intervista e plotë e Albanian Post me Viola von Cramon – Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian:

Albanian Post: Evropa (BE-ja) akoma nuk ka qëndrim kompakt rreth Kosovës dhe ndërhyrjes perëndimore që çoi në pavarësinë e saj pesëmbëdhjetë vjet më parë. Ekziston një qëndrim unik mes të gjithë anëtarëve të Bashkimit Evropian për Kosovën sot?

Viola von Cramon: Nuk ka dyshim se ku jemi sot është sigurisht shumë e ndryshme nga ajo që shumica prej nesh mund të kenë pritur. Duke pasur parasysh që kishim 15-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë, shumica e vëzhguesve do të kishin menduar se deri tani, në një mënyrë apo tjetër, do të kishim pasur një lloj zgjidhjeje përfundimtare, e cila do të lejonte që pesëshja mosnjohëse brenda BE-së të ndryshonte pozicionin e saj.

Megjithatë, ekziston një qëndrim i njëtrajtshëm në mesin e 27 vendeve të BE-së se çështja e marrëveshjes Serbi-Kosovë është urgjente dhe të gjitha shtetet qëndruan prapa të ashtuquajturit propozim franko-gjerman, i cili ndërkohë u bë plan evropian. Ajo tregon qartë se ekziston një unitet i plotë evropian se si të vazhdohet përpara.

Albanian Post: Çfarë mendoni për propozimin franko-gjerman me të cilin synohet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë? Mendoni se Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do të arrijnë marrëveshje këtë vit?

Viola von Cramon: Unë besoj se është marrëveshja më e mirë që mund të kemi për momentin dhe prandaj i bëj thirrje presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Kurti ta pranojnë atë qartësisht dhe pa kushte. Është me rëndësi jetike pasi të dy liderët kanë një mandat shumë të fortë brenda dhe si rrjedhojë, mundësinë për t’i “shitur” disa kompromise që nevojiten.

Nuk do të spekuloja për kohën dhe kur do të nënshkruhet, por mund t’ju siguroj se të gjitha kryeqytetet kryesore evropiane po punojnë ngushtë për këtë. Në fund të fundit, ne kemi nevojë për ide interesante, inovative se si ta zgjidhim këtë problem dhe ky propozim (franko-gjerman) e ofron.

Albanian Post: Cili është qëndrimi i Parlamentit Evropian për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe? A mundet Kosova të krijojë një mekanizëm për t’u mbrojtur nga devijimi i qëllimit të Asociacionit? Ekziston frika se mund të shndërrohet në një model si Republika Srpska?

Viola von Cramon: Një nga çështjet më të mëdha të politikës ballkanike është se çdo gjë tani shikohet përmes prizmit të Bosnjës. Tani kemi njerëz që thonë se Asociacioni nuk mund të pranohet në Kosovë sepse do të jetë një Republika Srpska tjetër. Nuk është domosdoshmërisht kjo çështja. Ka shumë modele të autonomisë në botë. Republika Srpska është një version, por askush nuk po propozon të njëjtën gjë në Kosovë. Unë mendoj se ka disa njerëz që qëllimisht po përpiqen ta përshkruajnë Asociacionin si një RS (Republika Srpska) tjetër. Ata e dinë që s’do të jetë. Është e padobishme dhe pengon përpjekjet për të zgjidhur një problem serioz.

Sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, qëndrimi ynë parimor është që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë duhet të zbatohen, duke përfshirë edhe AKShS-në. Është obligim ndërkombëtar dhe unë vazhdimisht i kam bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të bëhet më proaktive në këtë proces dhe të dalë me propozimin e saj që do të jetë brenda kompetencave kushtetuese të Kosovës.

Albanian Post: Nëse marrëveshja do të arrihet sipas planit franko-gjerman, çfarë do të përfitojë Kosova? Do ta njohin pavarësinë e Kosovës shtetet mosnjohëse brenda BE-së, sidomos Spanja? Çfarë do të humbasë Kosova nëse kryeministri Kurti e refuzon propozimin?

Viola von Cramon: Ky plan do të zhbllokojë vendosmërisht dhe realisht perspektivën evropiane të Kosovës, por edhe të Serbisë. Të dyja vendet e dinë shumë mirë se pa zbatimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, nuk do të ketë anëtarësim në BE. Kosova ka shumë për të fituar, duke përfshirë hapjen e rrugës për pesëshen mosnjohëse të BE-së për të lëvizur qëndrimet e tyre për shtetësinë e Kosovës, përfshirë Spanjën.

Si Kurti, ashtu edhe Vuçiç e dinë shumë mirë se pala që e refuzon marrëveshjen, ose pala qe tregohet jo konstruktive, do të izolohet gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht dhe do të fajësohet për dështimin. Kjo mund të çojë në një përkeqësim të relatave me BE-në dhe në ndalimin e disa proceseve të rëndësishme.

Albanian Post: Dhe çështja e fundit dhe më e rëndësishmja për të cilën kosovarët diskutojnë gjatë gjithë kohës. Kemi ndonjë lajm të mirë rreth liberalizimit të vizave? Kushte të tjera që duhen plotësuar?

Viola von Cramon: Ju e dini shumë mirë se unë e kam kërkuar vazhdimisht liberalizimin e vizave. Parlamenti Evropian ka qenë shumë i qartë për këtë pasi që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret shumë kohë më parë. Unë e kuptoj plotësisht zhgënjimin e njerëzve në Kosovë dhe shpresoj se deri në vitin 2024 çështja e vizave do të hiqet përfundimisht nga tryeza. Jemi shumë afër hapit final, i cili duhet të votohet në seancën plenare të PE-së në prill dhe më pas mund të konfirmojmë me siguri se liberalizimi i vizave më në fund ka mbërritur.

Albanian Post: Si e shihni qëndrimin e Serbisë dhe refuzimin e saj për të sanksionuar Rusinë? Në cilën anë po rreshtohet Presidenti Vuçiç, me Perëndimin apo Lindjen? Ju keni qenë shënjestër e sulmeve të zyrtarëve serbë në rrjetet sociale për shkak të deklaratave tuaja për Kosovën? Si i keni lexuar ato?

Viola von Cramon: Serbia vazhdon të luajë një rol balancues, i cili është i paqëndrueshëm në momentin e një lufte të furishme në Evropë. Ne e dimë ndjeshmërinë e situatës, por presim rreshtim të qartë dhe pa mëdyshje të Serbisë me ne, në BE, pasi jam e vetëdijshme që edhe presidenti Vuçiç e di se nuk ka alternativë tjetër reale për Serbinë.

Çelësi për të gjitha këto dhe pozicionimi i Serbisë ndaj Perëndimit është zgjidhja përfundimtare e dialogut me Kosovën dhe kështu ne po shtyjmë fuqishëm propozimin evropian/franko-gjerman. Kjo do të na jap hapësirën për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive dhe për të siguruar që Serbia të jetë plotësisht në linjë me CFSP-në tonë (politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së).

Përsa i përket fyerjeve, do të përmbahesha nga komentimi i tyre pasi më shumë flasin për ata që i shpërndajnë. Nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimet e mia dhe as nuk më ka penguar të kritikoj kur është e nevojshme.