Pronari i televizionit lokal “Vlora Channel” Erven Hyseni dhe drejtori i OSHEE Roland Saliu, mbetën të vrarë nga një atentat që ndodhi mbrëmjen e sotme në një lokal tek sheshi i Flamurit në Vlorë.
Dyshohet se shënjestër ka qenë biznesmeni pronar Televizioni, Erven Hyseni, i cili është i afërm i një prej viktimave të masakrës së Çoles, ngjarje e ndodhur më 7 prill 2015.
Dyshohet se atentati i sotëm mund të ketë ndodhur për çështje hasmërie.
Policia thotë se kanë qenë dy autorë që qëlluan me armë nga një makinë. Kamerat e sigurisë së lokalit kanë filmuar makinën e autorëve të vrasjes. Pamjet janë duke u analizuar nga ekspertë për të nxjerrë një identikit të autorëve.
Nga kërkimet e deritanishme, policia ka gjetur në fshatin Panaja një makinë të braktisur që mendohet se u përket vrasësve.
Pika kontrolli janë ngritur në hyrje dhe dalje të qytetit të Vlorës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Veritas.com.al/