Departamenti i Shtetit të SHBA i ndaloi hyrjen në SHBA ish-prokurorit të përgjithshëm shqiptar, duke aluduar se ai ishte përfshirë në afera të dukshme korruptive.  Adriatik Llalla, gruaja dhe dy fëmijët e tij u ndaluan të hyjnë në SHBA në përputhje me ligjin e vitit 2017, i cili autorizon Departamentin e Shtetit të vendosë ndalimin e vizave për zyrtarët qeveritare të cilët zbulohen se janë “përfshirë në afera të dukshme korruptive ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.” Ligji autorizon ndalimin e vizave edhe për anëtaret e familjes të këtyre zyrtareve. Z. Llalla ka shërbyer si prokuror i përgjithshëm i Shqipërisë nga dhjetori 2012 deri dhjetor 2017.

Ditën e enjte, në një email në përgjigje të pyetjeve me shkrim, ai mohoi çdo akuzë për korrupsion, duke thënë se nuk ka qenë kurrë nën hetim nga autoritetet shqiptare. Ai tha se ndalimi i hyrjes në SHBA për të dhe familjen e tij është produkt i një konflikti me ambasadorin e SHBA në Tiranë Donald Lu.

“Unë jam i sigurt se ky është një vendim i bazuar në keqinformimin mbi personin tim nga ana e ambasadorit Lu në Departamentin e Shtetit”, tha ai.

Njoftimi i SHBA u bë i njohur në një deklaratë të shkurtër postuar të mërkurën në mbrëmje; njoftimi nuk specifikonte aktet e korrupsionit për të cilat ai akuzohet.  Një zëdhënëse e DASH-it tha të Premten  në një email se departamenti “ka informacion të besueshëm se z. Llalla është i përfshirë në raste të dukshme korrupsioni gjatë ushtrimit të detyrës së tij” në këtë pozicion. Ajo refuzoi komente të mëtejshme.

Zotërinjtë Llalla dhe Lu janë përballur për çështjen e reformës në drejtësi, një nga problemet e rëndësishme në përpjekjet e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së. Reforma u miratua në vitin 2016, por zbatimi i saj ka qenë i vështirë, me tymuese të hedhura në Parlament pas votimit për zëvendësuesin e përkohshëm të z. Llalla.

Zoti Lu akuzoi zotin Llalla në fillim të 2017 se ishte shprehur kundër reformës; dhe z. Llalla i quajti komentet një perpjekje për të manipuluar opinionin publik. Konflikti u përshkallëzua.  Në atë kohë ambasada amerikane revokoi vizat e udhëtimit të disa gjyqtareve dhe prokurorëve shqiptare pa publikuar emrat e tyre, duke bërë të ditur “abuzimin flagrant të vizës zyrtare” nga ana e një prokurori të lartë dhe bashkëshortes së tij.

  1. Llalla shpjegoi se vizat e tij dhe të bashkëshortes iu revokuan vitin e shkuar për arsye së bashkëshortja udhëtoi në SHBA me një pasaportë diplomatike për shkak të problemeve shëndetësore. Gjatë periudhës së udhëtimit ajo ishte shtatzënë dhe lindi në SHBA. Z. Llalla tha se pas kësaj i qe bërë e njohur nga z. Lu se zyrtarët nuk mund të përdorin viza diplomatike për vizita private.
  2. Llalla tha se ai nuk e di çfarë provash për korrupsion ka për të SHBA, por ai bën fajtor zotin Lu për këtë çështje, duke u shprehur se z. Lu “ka keqinformuar dhe keqinformon me qëllim”.

 

“ Ai më ka fyer mua, familjen time dhe gjithë trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke na trajtuar si kriminelë, duke na denigruar publikisht dhe personalisht”, tha zoti Llalla. /Përktheu Syri.net/

Veritas.com.al/