‘Emocion dhe shumë krenari!’ Kështu e përshkroi ministrja e Kulturës Elva Margariti, faktin qe xhubleta u mor në mbrojtje nga UNESCO, tanimë si pjesë e Pasurisë Botërore të Njerëzimit.

Në një intervistë për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’, nga Maroku, ku u mbajt mbledhja e Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ministrja Margariti u shpreh se për hartimin e dosjes janë mbështetur edhe nga ekspertë të huaj, ndërsa theksoi se ka qenë një punë e gjatë e cila ka nisur në korrik të vitit 2020. Sipas ministres ato kanë marrë një fond të dedikuar nga UNESCO për të ruajtur procesin e dije bërjes së saj.

“Shumë emocion dhe shumë krenari. Ka qenë një punë e gjatë. E kemi nisur në korrik të 2020. Kemi ngritur urdhrin për grupin e punës dhe kemi punuar edhe me ekspertë të UNESCO-s. Një krenari për ne është edhe fakti që kemi pasur në këtë rrugëtim edhe partnerë të tjerë. Ka qenë i gjithë komunitetit dhe gjithë puna për të çuar gjithë praktikën. Kemi marrë të gjitha komplimenta edhe për vetë hartimin e dosjes.  Ka qenë një nga momentet kritik ky për Xhubletën, por ajo çfarë kemi çuar në UNESCO është ruajtja e dije bërjes. Kemi një fond të dedikuar nga UNESCO për të çuar para xhubletë-bërjen. Ishte një lajm i bukur dhe ishte dhurata me speciale që Ministria e Kulturës i ka bërë Shqipërisë me rastin e 110-vjetorit te Pavarësisë. Ka qenë një punë e gjatë, kemi punuar edhe me komunitetin. Shpesh herë është një nga elementet kyç edhe për vlerësimin e dosjeve. Ne për fatin tonë zv. ministrja e Kulturës është nja nga ekspertet UNESCO-s. Kemi pasur mbështetje nga UNESCO- për krijimin e regjistrit të Trashëgimisë jomateriale. Jam krenare se lista ishte shumë  e gjatë dhe jo të gjitha pranohen.’- u shpreh Margariti.

Për ministren Margariti, çështja e ruajtjes së xhubletës nuk është vetëm çështje parash, por dijesh.

‘Nuk është çështje parash është mbi të gjitha çështje dijesh. Është një fond që do të shërbejë për fillimin e punës, uroj të kemi donator të shumtë që të bëhen bashkë në gjithë botën. Nuk janë këto dukuri që mbahen vetëm nga institucionet shtatorë. Fakti i rrënjëve të thella ishte një nga elementet vendimtare.’- u shpreh Ministrja.

Ministrja u shpreh po ashtu se po përgatiten edhe dosje të tjera për t’u pranuar në UNESCO.

‘Kcimi i Tropojës’ është përgatitur. ‘Rituali i lashtë i shtegtimit të bagëtive’, ritual shume i vjetër i shtegtimit të bagëtive drejt maleve. Është i shpërndarë në gjithë rajonin dhe ‘Eposi i Kreshnikëve’, i kënduar dhe shoqëruar në lahutë, si tipologji e trashëgimisë shpirtërore jo materiale shqiptare.’- u shpreh ministrja.

“Xhubleta” ishte e para nga dosjet  në proces për t’u pranuar në UNESCO, prej marsit të kaluar. Dije bërja e saj siç kanë shpjeguar specialistët, ishte në rrezik zhdukjeje, e pranimi në UNESCO, është një ‘dritë jeshile’ për më shumë investime, fushata ndërgjegjësimi dhe marrjen e masave të tjera për mbrojtjen e kësaj tradite.

Grupi i punës që bëri të mundur realizimin e kësaj iniciative është koleksionistja Luljeta Dano, studiueset Dorina Arapi, Silvana Nini dhe kompozitori Dorian Çene dhe koleksionisti Ermal Sela.