Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë hapat e ardhshëm për zbatimin e reformës në drejtësi.

Kim thotë se fokusi i SHBA këtë vit, është eleminimi i mangësive dhe joefikasitetit në sistemin e drejtësisë.

Ambasadorja gjithashtu shprehet seme rëndësi është zgjidhja në kohë e çështjeve për të drejtat pronësore, çka do tërhiqte më tepër investime të huaja, si dhe imponimi i pasojave për zyrtarët e përfshirë në korrupsion.

“Takim shumë produktiv me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, për të diskutuar për progresin dhe hapat e ardhshëm në zbatimin e reformës në drejtësi.

SHBA mbështet fokusin këtë vit në: eliminimin e mangësive dhe joefikasitetit, veçanërisht për të reduktuar numrin e rasteve të mbetura në gjykatat administrative; duke iu përgjigjur shqetësimit të qytetarëve për pretendimet dhe të drejtat pronësore në kohë, transparente dhe kuptimplotë, gjë që është gjithashtu e rëndësishme për të tërhequr investime të huaja dhe për të përmbushur standardet e BE-së; si dhe imponimi i pasojave për zyrtarët që përfshihen në korrupsion. Njerëzit meritojnë rezultate reale nga reforma në drejtësi”, shprehet ambasadorja Kim.