Shqipëria është bashkë me OSBE, SHBA, BE dhe të gjithë aleatët në luftën kundër një fenomeni të rëndë si ai i trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri. Ky angazhim u shpreh sot edhe në konferencën e OSBE në Tiranë e organizuar me prezencë edhe të të ftuarve të nderit si ambasadorja e SHBA Yuri Kim dhe ai i BE-së, Luigi Soreca.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco, në fjalën e tij nënvizoi rëndësinë e të qenit të bashkuar në këtë luftë. Ai tha se Shqipëria ka bërë përparim në betejat kundër trafikimit të qenieve njerëzore, që sipas tij është një plagë e madhe për globin.

Ambasadorja e SHBA-së, në Tiranë, Yuri Kim ka theksuar se korrupsioni dhe lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore janë prioritet për Amerikën dhe këtë e ka bërë të qartë edhe presidenti Joe Biden, nëpërmjet një dekreti.

Në aktivitet mori pjesë me fjalën e saj edhe zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, e cila tha se prezenca e OSBE-së është mbështetje kryesore e institucioneve shtetërore dhe e Ministrisë së Brendshme për parandalimin dhe goditjen e personave që janë të përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore.

Ndërsa Luigi Soreca, ambasadori i BE-së, foli për një strategji të unionit për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, strategji e cila sipas synon edhe bashkëpunimin e ngushtë me vendet jo anëtare si Shqipëria.

VERITAS.COM.AL