Ndezja e motorëve elektoral nga partitë politike ka prodhuar një deklaratë të Ambasadës amerikane me një paralajmërim të fortë për ata që mund të çojnë ndërmend apo kanë në plan ideimin dhe nxitjen, e akteve të dhunshme në procesin zgjedhor.
Nxisim votuesit thuhet në këtë deklaratë t’i mbajnë partitë dhe kandidatët përgjegjës, të marrin në shqyrtim zgjedhjet që kanë dhe të votojnë për ato parti dhe kandidatë të cilët ofrojnë të ardhmen më të mirë për Shqipërinë – një e ardhme në partneritet me Shtetet e Bashkuara, që e shtyn Shqipërinë drejt anëtarësimit të plotë në familjen evropiane.
Deklarata e plotë:
Sezoni i fushatës zgjedhore në Shqipëri nisi zyrtarisht dje për të ecur drejt zgjedhjeve kombëtare në 25 prill. Shtetet e Bashkuara mirëpresin fillimin zyrtar të fushatës dhe, së bashku me autoritetet vendore dhe ndërkombëtarët, do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbështetur zgjedhjet deri në përfundimin e tyre me sukses.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë partive, udhëheqësve dhe votuesve që të përfshihen plotësisht dhe me përgjegjësi në ushtrimin e të drejtave dhe përgjegjësive të tyre. Nxisim partitë të paraqesin ide dhe kandidatë që pasqyrojnë respekt për votuesit. Presim nga udhëheqësit që të shfaqin udhëheqësi, përfshirë edhe duke u siguruar që partitë dhe kandidatët e tyre sillen në përputhje me ligjet elektorale dhe standardet ndërkombëtare, duke refuzuar qartë dhunën dhe duke treguar se ata me të vërtetë do të ishin të denjë për të udhëhequr dhe përfaqësuar Shqipërinë. Nxisim votuesit t’i mbajnë partitë dhe kandidatët përgjegjës, të marrin në shqyrtim zgjedhjet që kanë dhe të votojnë për ato parti dhe kandidatë të cilët ofrojnë të ardhmen më të mirë për Shqipërinë – një e ardhme në partneritet me Shtetet e Bashkuara, që e shtyn Shqipërinë drejt anëtarësimit të plotë në familjen evropiane si një demokraci e fortë dhe e begatë.
Edhe media duhet të luajë rolin e saj me përgjegjësi dhe etikë, duke bërë pyetje të vështira në emër të publikut dhe duke kërkuar përgjigje të vërteta nga kandidatët. Presim gjithashtu që shoqëria civile të luajë rolin e saj të rëndësishëm gjatë gjithë procesit zgjedhor. Përgjatë gjithë kohës, ne shpresojmë që të gjitha partitë, udhëheqësit dhe votuesit të sillen me dinjitet dhe, më e rëndësishmja, me respekt për këtë ushtrim më themelor dhe të rëndësishëm të demokracisë. Populli i Shqipërisë nuk meriton asgjë më pak.
Si mikja dhe aleatja juaj, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë të qarta pritshmëritë dhe shpresat tona. Ne përsërisim se do t’i mbajmë udhëheqësit përgjegjës. Në këtë drejtim, është tërësisht e kuptueshme se ata që aktualisht janë në poste drejtuese kanë përgjegjësinë e parë dhe më të rëndë për të vepruar në interesat e vendit. Ne do të marrim masat e duhura në përgjigje të atyre që pranojnë ose nxisin dhunën, pranojnë ose nxisin shkeljen e ligjeve zgjedhore dhe standardeve ndërkombëtare, apo ndryshe përpiqen të minojnë integritetin dhe besimin në procesin zgjedhor dhe rezultatet e tij.